Zaevi do të luaj tangon e dytë me Mickoskin!

Nga Naser Pajaziti

Në marsin e 2019 ishte pikërisht Zoran Zaevi që hapi derën e bashkëpunimit dhe nisi lojën e sinkronizuar me liderin e VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski, duke lënë partitë shqiptare si rezerva të arta dhe gjithmonë në gatishmëri.

Dy vite më vonë, Zaevi me stilin e tij të një politikani “engjull” që djeg me populizmin provincial po kërkon gomën e shpëtimit nga Mickoski.

Kjo dyshe sërish po tenton që ta luajë tangon e fshehtë, duke bashkërenduar e koketuar shumë marrëveshje e skenare, të gjitha këto duke e lënë përjashta faktorin shqiptar dhe kërkesat e tyre që përshtillen e zvarriten me vite.

Ky skenar është riaktivizuar nga Zaevi dhe u promovua pikërisht në emisionet e mentorëve e zëdhënësave të tij, pasi që nuk po i mjaftojnë matematikat me numrat që kanë minuar Kuvendin. Zaevi dështoi për të rritur numrin e shumicës, duke llogaritur se lehtë mund të bëj për vete ndonjë nga deputetët opozitarë, sidomos ato shqiptarë.

Dhe pikërisht, vjen telefonata e Zaevit me Mickoskin, për pazare në prapaskenë duke sakrifikuar dhe vënë në sprovë edhe regjistrimin që po e refuzon opozita. Nëse shifrat që në start nuk do të jenë të pritshme me gjasë do shohim skenarin e dytë të anulimit të këtij procesi të numrimit të popullsisë.

Zaev dhe Mickoski mund të bëjnë kompromisin, pasi që tashmë figura problematike për lidershipin aktual të VMRO-së , Sasho Mijallkov gjendet në burgun e Shutkës. Sigurisht se Zaev do jetë i gatshëm për pazare të tjera, duke sakrifikuar kolltukun e kryeministrit, por duke kërkuar mbylljen e dosjes dhe faturës së qeverisjes së tij.

Koketimet në distancë me emisarë nga të dyja taboret po vijojnë të luhen fshehurazi nga opinioni, duke heshtur mediat e të dyja kampeve që kontrollon Qeveria, por edhe opozita, për të ruajtur interesat e tyre.

Ky skenar do të zë në strofull dhe të molisur partitë shqiptare, të cilat si kurrë më parë kanë fuqinë e tyre për të përmbyllur shumë çështje si: heqja e popullit në përqindje në Kushtetutë, regjistrimi i monitoruar fuqishëm, përcaktimi i afateve dhe strategjisë për zbatim të ligjeve për gjuhën, ligji për nënshtetësi, reformat në gjyqësor përmes vetingut dhe rigjykimeve të rasteve të montuara, por me asistencë dhe kyçje të fuqishme të ekspertëve ndërkombëtarë, por edhe shumë çështje tjera, që artikulohen gjatë fushatave.

Lexoni edhe shkrimin e mëparshëm të autorit mbi këtë temë: Tangoja e fshehtë e Zaevit me Mickoskin!