Qytetarët tallen me kryeministrin: Kontaktoi “James Bond-in” për vaksinat (Video)

Kryeministri Zoran Zaev tha se ai i ka kontaktuar edhe shërbimet sekrete, në MI6 britanike për të ndihmuar në marrjen e vaksinave.
Komentuesit janë tallur me këtë deklaratë të kryeministrit. Ndoshta do të vijë një burrë i hollë me kostum të zi dhe të thotë “Ju solla Zenekën, Astra Zeneka”, janë disa nga komentet në rrjetet sociale.

Ndoshta ai priste të dërgonin agjentin 007 për t’i sjellë ai personalisht vaksinat, komentuan qytetarët në rrjetet sociale.

Që nga paraqitja e pandemisë, me sëmundjen COVID-19 në Maqedoninë e Veriut janë diagnostikuar 112.107 persona, prej tyre 3.300 e kanë humbur jetën, betejën e kanë fituar 97.166 persona, ndërsa 11.641 të tjerë janë ende aktivë me koronavirus.

Për dallim nga ditët e kaluara, nga Ministria e Shëndetësisë nuk kanë ende informata konkrete se kur Maqedonia e Veriut do të marrë dërgesën të re të vaksinave.

Më parë ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe kishte paralajmëruar se deri në fund të këtij muaji do të mbërrijnë 20.000 doza të vaksinës së kompanisë Pfizer dhe 25.000 të tjera të AstraZenecas.
Maqedonia e Veriut deri më tani ka pranuar rreth tetëmijë doza të Pfizerit si donacion nga Serbia, të cilat janë përdorur për vaksinimin e personelit shëndetësor dhe tremijë të tjera të prodhuesit kinez Sinopharm, me të cilat po vaksinohen të moshuarit dhe të sëmurët kronikë.