Zaevi sot kthehet në punë, a do ta kap menjëherë “fshesën”?!

0

Kryeministri Zoran Zaev pas gati një jave pushim është kthyer sot në vendin e punës. Ai shkoi në pushim të papritur menjëherë pas zgjedhjeve presidenciale, krejtësisht në rrethana dhe në një lokacion të panjohur, por që u bë e ditur se ka pushuar pranë gjirit familjar. Pushimi i tij disa ditor ka lënë në ankth shumë funksionarë të lartë, pas paralajmërimeve për planin e “fshesës” për largimin e disa ministrave, funksionarëve të tjerë qeveritarë por edhe nga radhët e partisë së tij socialdemokrate, përcjellë INA.

Deri tani në koluaret partiake, por edhe në media janë përmendur emra të ministrave se cilët do të largohen, megjithatë gjithçka është jozyrtare. Nga partia e koalicionit BDI kritikuan emërtimin “fshesë” nga ana e kryeministrit, pasi që kjo është nënçmuese dhe fyese. Nga kjo parti po ashtu kanë sinjalizuar kryeministrin se nuk mund të vendos për ministrat dhe funksionarët e tyre. Lidhur me këtë kryeministri Zaev deri në fund të javës pritet të takohet me kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti.
Sipas TV Telma, plani i “fshesës” fillimisht parasheh shkarkimin e ministrave dhe emërimin e të rinjve, ndërsa më pas do të shkohet me shkarkime të niveleve më të ulta. Zaev ka paralajmëruar ndryshime edhe në radhët e LSDM-së, duke shkarkuar funksionarë të lartë partiak, për shkak të rezultateve të dobta në zgjedhjet e fundit presidenciale. (INA)