Zaev:Ja çfarë bisedova me presidentin Thaçi

0

Kryeministri Zoran Zaev sot deklaroi se ka biseduar me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi lidhur me bisedën e tij me komikët rusë, duke theksuar se nëse i ka prekur qytetarët apo presidentin e Kosovës, nuk ka qenë ky qëllimi.

“Biseduam me Thaçin, kërkoi sqarim. Këmbeva edhe mesazh me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Dëshiroj edhe një herë të shfrytëzoj rastin nëse me deklaratën i kam prekur qytetarët apo presidentin e Kosovës nuk e kam pasur këtë qëllim. Ne jemi vende shumë miqësore. Unë shpresoj, të paktën e ndjej ashtu, se jam mik i qytetarëve të Kosovës. Asnjëherë nuk kemi pasur detaje për procesin negociues, siç deklarova edhe paraprakisht. E gjithë ajo që është temë e bisedimeve në çfarëdo kuloaresh kur bisedojmë prej asaj çfarë është e pranishme në opinion dhe ngjashëm. Edhe presidenti Thaçi, edhe presidenti Vuçiq e dinë se ne nuk dimë dhe nuk kemi ndarë informacione”, deklaroi sot kryeministri Zoran Zaev.

Qëndrimi ynë, siç potencoi Zaev është se me të vërtetë dëshirojmë prosperitet dhe zgjidhje të problemeve me Kosovën, prosperitet të shqiptarëve, serbëve dhe të gjitha bashkësive të tjera të cilat jetojnë në Kosovë, por edhe në të gjithë rajonin.

“Pas Marrëveshjes së Prespës shpresojmë se edhe çështje të tjera të hapura do të zgjidhen në rajon, pasi qëllimi ynë, ndërsa besoj edhe i të gjithë liderëve në rajon është bashkëpunimi rajonal të rritet, integrimet në BE si qëllim final, zhvillimi dhe sigurimi i përhershëm i paqes së përjetshme në mbarë Gadishullin ballkanik dhe gjithsesi zhvillimi i bashkëpunimit midis dy vendeve tona”, theksoi Zaev duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve.