Zbardhet dinamika e plagosjes së shqiptarit! Dy grupet u përplasën pas ndjekjes me makinë

Mediat greke zbardhin dinamikën e ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e sotme në afërsi të Patras të Greqisë ku mbeti i plagosur rëndë shqiptari, i cili u qëllua me 5 plumba.

Tempo24.news raporton se nga dëshmitarët në vendngjarje është mësuar se dy automjete që po shkonin drejt Patras, u përplasën në Kryqëzimin Kourtesis.

Pasagjerë nga të dy automjetet zbritën nga makina dhe befas u dëgjuan të shtëna armësh. Për pasojë mbeti i plagosur rëndë 27-vjeçari shqiptar i cili u rrëzua në trotuar i mbuluar në gjak.

Kalimtarët në vendngjarje nxituan të fshiheshin ndërsa banorët e pallateve në zonë mbyllën dritaret nga frika. I plagosuri është transportuar në spital në gjendje kritike për jetën.

Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes ndërkohë që dy persona janë shpallur në kërkim./mv.abcnews.al