Kanale diplomatike kanë zbuluar detaje të reja mbi planin e paqes të propozuar nga ish-presidenti amerikan, Donald Trump, për zgjidhjen e konfliktit në Ukrainë.
Plani, i cili pritet të shpallet brenda dy javësh, parashikon një armëpushim të mundshëm deri më 20 prill 2025 dhe një marrëveshje që përfshin njohjen e sovranitetit rus mbi territoret e aneksuara. Mbi 486 miliardë dollarë janë parashikuar për rindërtimin e Ukrainës, që do të mbulohet nga Europa.
Plani i Trump propozon gjithashtu një ndalim të kërkesave të Ukrainës për anëtarësim në NATO për të paktën 10 vjet dhe krijimin e një zone të çmilitarizuar nën mbikëqyrjen e trupave evropiane, pa përfshirjen direkte të Shteteve të Bashkuara. Një nga detajet më të diskutueshme është kërkesa që Ukraina të tërheqë trupat nga rajoni rus i Kurskut.
Reagimi i palëve të interesuara: Negociatat mes Trump dhe Putin mund të nisin deri më 20 shkurt 2025, megjithatë qeveria e Ukrainës, nën udhëheqjen e Volodymyr Zelensky, nuk është e përfshirë në këto bisedime. Nga ana tjetër, Moska ka shfaqur sinjale pozitive për planin e propozuar, me zëdhënësin e Kremlinit, Dmitry Peskov, që e ka cilësuar Trumpin si të “mirëpritur” në Rusi.
Ky plan i paqes do të shërbejë si një hap i rëndësishëm për të zbërthyer tensionet dhe për të nisur një periudhë të re bisedimesh ndërkombëtare.