Chelsea ishte e vendosur kategorikisht për shitjen përfundimtare të kartonit të Armando Brojës.
“Blues” ia kishin caktuar çmimin sulmuesit shqiptar në plot 58,5 milionë euro.
Por, klubet e interesuara për përfaqësuesin shqiptar nuk ishin të gatshëm për ta paguar këtë çmim dhe kryesisht në “Stamford Bridge” arritën oferta për huazimin e lojtarit deri në fund të sezonit.
Para dy ditësh klubi londinez e refuzoi propozimin e Wolverhamptonit për huazimin e lojtarit, por tash “Të Kaltrit” nuk kanë kohë pasi po afrohen orët e fundit të afatit kalimtar të janarit, shkruan “Gazeta Express”.
Sipas gazetarit sportiv britanik Ben Jacobs, Chelsea “është zbutur” dhe tash do të pranojë ta japë në formë huazimi përfaqësuesin shqiptar.
Ëolves mbetet i interesuar për ish-futbollistin e Southamptonit, ndërsa Fulhami po ashtu e pëlqen lojtarin.
Gjithnjë sipas gazetarit të mediumit “The Athletic”, për huazimin e 22 vjeçarit, Chelsea i kërkon 5,8 milionë euro.
Broja nuk po arrin të gjejë hapësira dhe të lërë gjurmë në klubin londinez, prandaj “Blues” ia kanë hapur derën e largimit, qoftë në formë huazimi apo edhe duke e shitur. /Gazeta Express/