Zejadin Osmani nga Kumanova, zjarrfikës në Cyrih

Në vitin 2002, Zejadin Osmani emigroi në Zvicër për të siguruar një jetë më të mirë për vete dhe për familjen. Por disa vite më vonë, shqiptari nga Kumanova u bë shpëtimtar i shumë jetëve të rrezikuara nga zjarret në shtetin helvetik. Prej rreth 10 vitesh, Zejadini është i vetmi shqiptar që shërben në Shoqatën e Zjarrfikësve në komunën Hinwil, kantoni i Cyrihut.

“Para 10 viteve jam kyçur si vullnetar në Shoqatën e Zjarrfikësve në rajonin ku jetoj në Zvicër. Qëllimi im ishte shumë human, të shpëtoj sa më shumë jetë që rrezikohen nga zjarret” tha Zejadin Osmani për gazetën LAJM.

Gjatë shërbimit të tij prej një dekade, thotë se ka përjetuar ngjarje të shumë të rrezikshme. Megjithatë, ai është shumë krenarë që ka arritur të ndihmojë në shuarjen e zjarreve.

“Kemi pas raste kur jemi ngjitur nëpër banesa të ndryshme për të shuar zjarre. Kemi shuar shumë zjarre dhe kemi ndihmuar edhe në shumë aksidente në autostradën Hinwil-Rüti. Poashtu, kemi shumë punë edhe nëpër stallat e kafshëve kur digjen. Kam marrë pjesë në shuarjen e zjarreve edhe nëpër fabrika. Çfarë nuk kemi parë, e përjetuar”, rrëfen Zejadini.

Puna e tij humane, i bën krenar edhe fëmijët.

“Ata janë shumë krenarë për angazhimin tim në shoqatën e zjarrfikësve. Madje, këtë e shprehin me shumë krenari edhe në shkollë, para shokëve të klasës apo para mësuesve zviceran”, thotë Zejadini, i cili është baba i tre fëmijëve.

Dëshira e tij është që të ndihmojë në zhvillimin e shërbimit të zjarrfikësve në vendlindje. Por, thotë se për këtë duhet ndihmë edhe nga bashkatdhetarët tanë në Zvicër dhe shoqatat që funksionojnë atje, pasi pajisjet janë shumë të shtrenjta.

“Gjithë përvojën time 10 vjeçare, jam i gatshëm përmes trajnimeve t’ua transmetoj zjarrfikësve në vendlindje. Poashtu, dua të ndihmoj që zjarrfikësit të kenë më shumë pajisje për shuarjen e zjarreve. Kam parë që këtu ka shumë probleme sidomos në lagjet me rrugë të ngushta ku kamionët e zjarrfikësve nuk mund të depërtojnë. Në Zvicër ka mjete më të vogla që janë enkas për këto lagje, por janë të kushtueshme. Megjithatë, janë gjëra që mund të bëhen përmes bashkëpunimit me mërgimtarët”, shprehet Zejadini.

Ai është edhe anëtar i Shoqata Kulturore Shqiptare “Bashkimi” në Uster dhe si zjarrfikës siguron aktivitetet e kësaj shoqate shqiptare në Zvicër./Gazeta LAJM