Zëvendësministrja e Transportit, Kaltrina Zekolli Shaqiri iu drejtua Takimit rajonal të arkitektëve dhe inxhinierëve në Strumicë, organizuar nga Oda e arkitektëve dhe inxhinierëve të licencuar të Republikës së Maqedonisë së Veriut
Ajo tha se Ministria e Transportit, si bartëse e politikave, në vazhdimësi punon për përparimin e sektorit të ndërtimit dhe në këtë drejtim po zhvillohet bashkëpunimi me të gjitha Odat dhe Asociacionet.
“Bashkëpunimi me Odën e arkitektëve dhe inxhinierëve të licencuar është në një nivel të lartë dhe këtë e dëshmon angazhimi i përbashkët që gjatë gjithë këtyre viteve është realizuar midis këtyre dy institucioneve. Këtu jemi për të folur për përparim, për zhvillim dhe për sfidat e profesionit të inxhinierisë. Dhe kjo është misioni ynë. Planifikimi hapësinor dhe urban është një strategji që është bazë për zhvillimin ekonomik të shtetit”, theksoi në fjalimin e saj Zekolli Shaqiri.
Ajo gjithashtu shtoi se digjitalizimi në ndërtim si një segment kyç për përmirësimin e produktivitetit dhe efikasitetit të kompanive fillon të depërtojë thellë në aktivitet, duke transformuar disa procese të biznesit në këtë sektor që dallon për nga specifika e tij nga sektorët e tjerë.
“Mund të pranojmë tendencat moderne dhe t’i aplikojmë ato edhe në ekonominë tonë vendase dhe në sektorin e ndërtimit. Kjo është mënyra që ju, ne dhe e gjithë operativa ndërtimore dhe stafi inxhinierik të jemi konkurrues ndaj ndikimit që vjen nga jashtë”, deklaroi zëvendësministrja Zekolli Shaqiri.