Zelensky e quan Rusinë “shtet terrorist” pasi u vra një foshnje në spital

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, të mërkurën e quajti Rusinë “shtet terrorist” që bën “terror dhe vrasje”, pasi një foshnje u vra në një repart të maternitetit pas një sulmi me raketa, në një spital në pjesën jugore të Zaporizhjas.

“Edhe një herë, armiku vendosi të tentojë ta arrijë përmes terrorit dhe vrasjeve atë që nuk ka qenë në gjendje ta arrijë që nëntë muaj dhe që nuk do të mund ta arrijë”, tha Zelensky në Facebook, pas sulmit që ndodhi në spitalin e Vilnyansk.

“Në vend të kësaj, kjo do të shërbejë vetëm si dëshmi për të gjithë të keqen që i është sjellë vendit tonë”, shtoi ai.

Sulmi erdhi përderisa betejat në rajonet lindore të Donetsk dhe Luhansk janë intensifikuar, pas ofensivave nga Rusia.

“Gjatë natës, përbindësha rusë qëlluan me raketa të mëdha në repartin e vogël të maternitetit të spitalit në Vilnyansk. Zemrat i kemi plot dhimbje – një foshnjë që sapo kishte ardhur në këtë botë u vra”, shkroi guvernatori rajonal Oleksandr Starukh në Telegram.