Zemaj premton përkrahje në menaxhimin e pandemisë në komunat e Luginës së Preshevës

0

Autoritetet lokale të Bujanocit e Preshevës kanë vlerësuar lart reagimin e Ministrit Zemaj, i cili është ministri i parë i Shëndetësisë nga Kosova që i viziton këto komuna dhe ofron përkrahje të drejtpërdrejt, ndërkohë që kanë shprehur shqetësimet e tyre për situtën rreth Covid-19 në këto komuna, mungesën e kuadrit adekuat mjekësor në Luginë dhe nevojat që kapacitetet të rriten, me ndihmën edhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës Armend Zemaj, i shoqëruar nga drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, Naser Ramadani, dhe bashkëpunëtore të tjerë qëndoi sot në Luginën e Pershevës, ku u takua me autoritetet e pushtetit lokal dhe autoritetet politike të komunave Bujanoc dhe Preshevë.

Gjatë vizitës në këto komuna, Ministri Zemaj shprehu përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës që për qytetarët e këtyre komunave të ofrojë përkrahje konkrete, si në përballimin me pandeminë Covid-19, ashtu edhe në kërkesat e tjera që kanë të bëjnë me specializimet e mjekëve të komunave të Luginës së Preshevës në Kosovë dhe çështje të tjera.

Gjatë takimeve të ndara me kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafa dhe Kryetarin e Komunës së Bujanocit, Nagip Arifi, Ministri Zemaj, ka thënë se Qeveria e Kosovës do të ofrojë mbështetje me mjete mbrojtëse për ballafaqim me pandeminë, derisa përkujdes i veçantë do t’i kushtohet edhe kuotave për ndarjen e specializimeve për mjekët të Luginës, për ato profile shëndetësore të cilat janë më se të nevojshme për realizimin e një përkujdesi shëndetësor të nevojshëm.

Ministri Zemaj u ka bërë thirrje qytetarëve të komunave të Luginës që të zbatojnë masat mbrojtëse kundër Covid-19, të eliminojnë frikën e marrjes së shërbimeve në institucionet shëndetësore të këtyre komunave si atyre në komunat e tjera dhe është zotuar se çdo shqetësim të tyre do ta adresojë tak autoritetet në Kosovë dhe ato në Beograd, me qëllim që kujdesi shëndetësor për qytetarët e komunave të Luginës të mos të mungojë.

Kryetari i Bujanocit Nagip Arifi dhe ai i Këshillit Kombëtar Ragmi Mustafi, kanë vlerësuar lart reagimin e Ministrit Zemaj, i cili është ministri i parë i Shëndetësisë nga Kosova që i viziton këto komuna dhe ofron përkrahje të drejtpërdrejt, ndërkohë që kanë shprehur shqetësimet e tyre për situtën rreth Covid-19 në këto komuna, mungesën e kuadrit adekuat mjekësor në Luginë dhe nevojat që kapacitetet të rriten, me ndihmën edhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Ata kanë theksuar se kanë nevojë për më shumë teste anti Covid-19 dhe shërbime shëndetësore më afër, pasi që për shërbime spitalore më të avancuara, u duhet qytetarëve të shkojnë deri në Spitalin më të afërt, atë të Vranjës.

Ata kanë theksuar se një komunikim më i drejtpërdrejt me autritetet në Kosovë mund të ndikojë në përmirësimin e shumë gjërave sa i përket popullatës shqiptare në këto komuna, derisa nga Ministri Zemaj kanë marrë premtimin se ky komunikim do të jetë i rregullt dhe se Qeveria e Kosovës do t’i marr me seriozitet nevojat e tyre.

Ministri Zemaj më vonë ka qëndruar edhe në komunën e Preshevës ku është pritur në takime të ndara nga krytari i Komunës, Shqiprim Arifi, kryetarja e PVD, znj. Ardita Sinani dhe kryetari i PDSh-së, Ragmi Mustafa.

Nga diskutimet e gjata me ta është kuptuar se nevojat e popullatës në Preshevë janë të ngjashme me ato të Bujanocit.
Ministri Zemaj i ka inkurajuar autoritetet e Preshëvës që të japin maksimumin për menaxhimin e rasteve me Covid-19 duke shqyrtuar edhe mundësitë e krijimit të ndonjë qendre të veçantë anti covid-19, por duke konkretizuar edhe forma të tjera të përkrahjes afatgjate për qytetarët e Preshevës.
Ai ka thënë se çdo kërkesa e tyre që mund të realizohet, do të angazhohet që kjo të bëhet realitet, derisa do të jetë mbështetës i tyre për të realizuar një bashkëpunim shumë më të mirë edhe në rrafshin politik.

Ministri Zemaj gjatë vizitës në Bujanoc e Preshevë ka vizituar edhe ambulancat ku trajtohen të prekurit nga Covid-19 në Preshevë, ku ka parë nga afër punën e personelit shëndetësor të këtyre qendrave, drejtuesit e të cilave qendra, si ata serbë ashtu edhe ata shqiptarë, kanë theksuar se janë duke ofruar shërbimet shëndetësore në shërbim të gjithë qytetarëve.

Gepostet von Armend Zemaj am Samstag, 8. August 2020