Zero lekë për rritje pagash në Buxhetin e 2020

0

Projektbuxheti i vitit 2020 pritet të jetë më negativi i viteve të fundit, si në drejtim të pritshmërisë për të ardhurat, ashtu dhe të shpenzimeve, sidomos atyre për investime.

Sipas tabelave fiskale të publikuara nga Ministria e Financave, të ardhurat buxhetore pritet të jenë 502.7 miliardë lekë në vlerë nominale, me një rritje modeste prej 3.2 % në krahasim me aktin normativ 2019.

Por, në krahasim me Prodhimin e Brendshëm Bruto, që e zhvesh treguesin nga efekti i rritjes ekonomike dhe inflacionit, të ardhurat buxhetore pritet që të jenë në rënie, nga 28.5 % e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) në 2019-n, në 28 % të PBB-së në vitin 2020. Kjo është hera e parë që ky tregues vjen në rënie në raport me PBB-në, që nga viti 2013.

Treguesi me pritshmëritë më të ulëta në buxhet është TVSH-ja, të ardhurat nga e cila pritet të jenë 151.2 miliardë lekë, në të njëjtin nivel me 2019-n, në vlerë nominale, ndërsa në raport me PBB-në do të zbresin me 0.4 pikë përqindje në 8.5 % të PBB-së. TVSh-ja, një tregues direkt i konsumit, ka pasur performancën më negative edhe gjatë 9-mujorit të këtij viti, me të ardhurat që kanë rënë me 4% për 9-mujorin, ku TVSh e brendshme është tkurrur me rreth 22 %, për shkak të efektit të gazsjellësit TAP, që po shkon drejt fundit.

TVSh është zëri kryesor në buxhet, që sjell rreth 30 % të të ardhurave totale. Të ardhurat nga tatimi mbi fitimin pritet të rriten me 13 %, nga akciza me 4.5 % dhe nga tatimi mbi të ardhurat personale me 13.3 %. Të ardhurat nga sigurimet pritet të rriten me 5 %, me bazë vjetore.

Shtrëngohet rripi për rritje pagash e shpenzime kapitale

Performanca e dobët e të ardhurave ka ndikuar dhe në kahun e shpenzimeve, me qeverinë që do të jetë e detyruar të shtrëngojë rripin vitin e ardhshëm, në mënyrë që të ruajë parametrat e buxhetit.

Shpenzimet pritet të rriten me 2.3 % në 532 miliardë lekë. Shpenzimet për paga pritet të jenë 70 miliardë lekë me një rritje prej 8.1 % në raport me një vit më parë.

Fondi për politika të reja pagash është zero, nga 2 miliardë lekë që ishte në 2019-n. Shpenzimet për interesa do të jenë 40.9 miliardë lekë, me një rritje të lehtë prej 2.1%.

Gërshërët e kursimeve do të jenë mbi shpenzimet kapitale, të cilat pritet të jenë në ulje dhe në vlerë nominale. Sipas tabelave të projektbuxhetit, shpenzimet kapitale pritet të jenë 83.7 miliardë lekë, nga 87.5 miliardë lekë që është plani për 2019-n, me një rënie nominale prej 4.2%, ku tkurrjen më të lartë do ta pësojnë investimet e brendshme(-8.6 %). Në raport me PBB-në, shpenzimet kapitale do të zbresin në 4.7 % të PBB-së, nga 5.1 % që është pritshmëria për 2019-n, duke shënuar nivelin më të ulët nga viti 2017.

Deficiti buxhetor pritet të zbresë në 29.3 miliardë lekë, ose 1.6 % të PBB-së, nga përkatësisht 32.9 mld lekë dhe 1.9% të PBB-së që priten në 2019-n./MONITOR