Zëvendëskryeministrit të reformave i ndahet buxheti për 2018, por askush nuk është emëruar?!

Zëvendëskryeministri i Reformave që qe propozim për Aleancën për Shqiptarët edhe më tej është në kalkulim nga Qeveria e Maqedonisë, dhe nëse i njëjti plotësohet, për të njëjtin deri në fund të mandatit qeveritar qytetarët e Maqedonisë do të paguajnë mbi 3 milionë denarë, shkruan Portalb.mk.

Nga Qeveria e Maqedonisë deklaruan se zëvendësministri për Reforma nuk do të ketë objekt, nuk do të jetë institucion që do të funksionojë në kuadër të objektit të Qeverisë por as edhe kabinet qeveritar, siç qëndron rasti me zëvendëskryeministrin për Ekonomi, Koço Angjushev, por do të jetë post i vetëm një individi që do të ketë pagë të njëjtë sikurse zëvendëskryeministrat tjerë që kryejnë funksione ministrore. Gjithashtu, zëvendëskryeministri për Reforma nuk do t’i përgjigjet konkursit publik, as nuk duhet të plotësojë ndonjë kriter të veçantë, por do të dalë nga marrëveshjet e partive politike qeveritare.

“Përbërjen e qeverisë e rregullon partia e cila ka shumicë parlamentare. Në lidhje me rastin, kryetari i Qeverisë së Maqedonisë paralajmëroi pozitë të zëvendëskryeministri për reforma e cila iu propozuar partisë Aleanca për Shqiptarët. Nga këtu, nga këtu zëvendëskryeministri për reforma do të përzgjidhej nga partnerët koalicionues, dhe jo nëpërmjet thirrjes publike. Kjo pozitë nënkupton koordinim të më shumë resorëve ministrore në raport të reformave kyçe, thelbësore për Republikën e Maqedonisë. Për momentin këto detyra i ka kryer drejtpërdrejt kryeministri Zaev. Zëvendëskryeministri për reforma dhe kabineti i tij, do të punojnë në kuadër të Qeverisë së Maqedonisë. Zëvendëskryeministri i Reformave nuk do të ketë objekt vetanak, as nuk do të jetë institucion, as kabinet, por vetëm një pozitë”, thanë për Portalb.mk, nga Qeveria e Maqedonisë.

Në kuadër të Qeverisë së Maqedonisë funksinon vetëm kabineti i zëvendëskryeministrit të Qeverisë së Maqedonisë, Koço Angjushev përgjegjës për çështje ekonomike. Në kabinetin e tij janë të punësuar 14 (katërmbëdhjetë) administratorë shtetëror dhe tre këshilltarë të veçantë. Zëvendëskryeministrat tjerë të Qeverisë së Maqedonisë, Radmilla Shekerinska dhe Oliver Spasovski janë edhe ministra dhe rrogë marrin si të ministrave.

Ndërsa, zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani është institucion me objekt vetanak, të quajtur sekretariat. Ngjashëm është rasti edhe me zëvendëskryeministrin për Zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, Hazbi Lika.

Gruevski – Zaev – Ahmeti -Kasami – Sela – Thaçi

Pazari politik qeveritar = 3,230,424 denarë

Meqë nga Qeveria e Maqedonisë këmbëngulin se nuk bëhet fjalë për kabinet, po për post të një individi që do të marrë pagë sa të një zëvendëskryeministri me post ministror, sipas asaj që u pa nga ministrat aktual duket se mesatarisht, zëvendëskryeministri për reforma qytetarëve të Maqedonisë do t’i kushtojë mbi 3 milionë denarë.

Zëvendëskryeministrja, Radmilla Shekerinska merr pagë mujore në vlerë prej 78,791 denarë, aq do të marrë edhe zëvendëskryeministri për Reforma. Qytetarët e Maqedonisë për një vjet do të shpenzojnë 945,492 denarë, ndërsa deri në fund të mandatit do të harxhojë 3,230,424 duke anashkaluar 551,544 denarët të cilët u kursyen gjatë shtatë muajve prej kur u formua qeveria e Maqedonisë.

Qeveria të largohet nga oferta për zëvendëskryeminstër të Reformave!

Sipas ekspertit të transparencës institucionale, Aleksandar Kolekeski krijimi i postit zëvendëskryeministër për reforma është i panevojshëm, aq më pak kur funskionin e tij e ka kryer kabineti i kryeministrit.

Sipas tij, një post i tillë erdhi në pah për shkak të pazareve politike dhe meqë doli i pasuksesshëm, nuk duhet të jetë funksional në të ardhmen.

“Zëvendëskryeministri për Reforma erdhi për shkak të pazareve politike, por meqë Aleanca për Shqiptarët nuk e pranoi, besoj se nuk do të vlejë më si ofertë. Megjithatë vlersojmë se është e panevojshme të krijohet edhe si post, pasi që detyrat që do i bëka ai, i paska kryer kabineti i Zaevit. Maqedonia mjafuteshëm shpenzon para për administratë, mendoj se nuk duhet të mendojë në këtë drejtim që të hap poste të reja dhe të bëhet shpenzime shtesë, aq më pak tash kur duhet të kemi edhe sistemim të administratorëve”, tha Kolekeski.

Për kolumnistin e Portalbit, Robert Nesimi këta janë ministra pa resorë, ministra pa resorë dhe pa kompetenca, pra ministra të vërtetë byreku që “punën” e tyre shumë më lehtë do e bënin në suaza të ministrive tjera ekzistuese.

“Për shembull eurointegrimet dhe diaspora mund të funksionojnë në suaza të ministrisë së punëve të jashtme, punët e çështjeve ekonomike ose investimeve të huaja në suaza të ministrisë së ekonomisë apo financave e kështu me rradhë. Pra këto poste janë plotësisht të trilluara, të panevojshme, shpenzojnë kot buxhetin e shtetit dhe paratë e qytetarëve dhe janë krijuar vetëm për të kënaqur apetitet personale e partiake të disa individëve e partive. Të kuptohemi, bartësit e këtyre posteve vërtetë kanë patur pushtet real në disa raste. Nëse e “bëjnë mirë byrekun”, gjegjësisht nëse i kanë punët mirë me byrek-ngrënësin kryesor – Kryeministrin, këta pushtetarë mund të kenë ndikim të madh në politikat qeveritare. Të tilla janë rastet e Vladimir Peshevskit më parë dhe të Koço Angjushevit tani. Por peshën e tyre politike nuk e ka sjellur funksioni i tyre i trilluar, sa e sjell afërsia me Kryeministrin.” shkruan Nesimi në kolumnën e tij për Portalb me titull “Ministria e byrekut”.

Përndryshe, kalkulimet për resoret qeveritare erdhën në pah që pas zgjedhjeve lokale të 2017-s në Maqedoni, pasi që ministra dhe zëvendësministra kandiduan për të parët e komunave. Të zbrrzëta kanë ngelur Ministria pa resor në të krye të së cilës ishte Ramiz Merko nga BDI, tash kryetar komune në Strugë dhe zëvendëskryeministri i Reformave që qe propozim i lideri të Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë, Zoran Zaev për liderin e Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela. Këtë Ministri Sela e quajti Ministria e Byrekut, pasi që iu dha si kompenzim i Ministrisë së Shëndetësisë të cilin e la të zbrazët për dy muaj pasi që ministri i saj, Arben Taravari u zgjodh kryetar komune në Gostivar. ASH-ja nuk e pranoi Ministrinë e Reformave dhe doli nga Qeveria e Maqedonisë.

Pas daljes së ASH-së nga Qeveria e Maqedonisë, në publik qarkulluan informatat se pjesë e Qeverisë mund të bëhet edhe Partia Demokratike Shqiptare./Portalb.mk