Lideri i PDK-së, Memli Krasniqi pas seancës së sotme të Kuvendit akuzoi liderin e LVV-së Albin Kurti se me qëllim po tenton ta mbajë situatën e bllokuar me dështimet e vazhdueshme për konstituimin e Kuvendit. Ai tha se Kurti duhet ta largojë Albulena Haxhiun si propozim për kryetare të Kuvendit dhe të propozojë emër tjetër.
“Nuk i ka votat as për qeveri, sikur t’i kishte votat për qeveri i kishte pasë votat edhe për kryetar të Kuvendit, me qenë se nuk i ka, ai dështimin e tij personal që nuk mundet me u bë kryeministër, po dëshiron me e lënë si pjesë të kësaj bllokade të cilën po e bën me qëllim. Le të provojë, i ka 48 deputetë, veten le ta propozojë, është deputet ai, nuk është kryeministër, ai është deputet. Le te provon, ndoshta e votojmë. Nuk besoj që e votojnë, nuk e ka merituar, ai nuk e meriton as ministër me qenë, e le më kryetar i Kuvendit”, tha Krasniqi.
Krasniqi tha se nëse vazhdon bllokada në Kuvend, do të duhet që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare.
“Jo mor, nëse nuk dalim prej kësaj situate, ne zgjedhjet duhet t’i mbajmë në maj ose qershor. Nuk mund ta lëmë vendin peng të tekeve të Albin Kurtit dhe Albulena Haxhiut”, tha Krasniqi.