Zgjedhjet e 14 shkurtit: Një kuti çokollatash për Kosovën

Nga Chinyere Obasi, Harvard Political Review

Festa e Shën Valentinit është simbol i dashurisë dhe romantizmit. Megjithatë, pasi një gjykatë e lartë vendosi që qeveria e Kosovës ishte zgjedhur në mënyrë të paligjshme, Shën Valentini shënoi pasionin e kutive të votimit që u manifestua gjatë zgjedhjeve të parakohshme më 14 shkurt.

Në një sezon fushate mes akuzave për korrupsion, dorëheqja e  presidentit, i akuzuar  për krime lufte dhe keqmenaxhim të situatës pandemike, bëri që partia e majtë, pro-shqiptare ‘Vetëvendosje’ të fitonte një shumicë të madhe të votave.

Me fokusin e tij në anti-korrupsion dhe integrimin në botën perëndimore, është e qartë se fitorja e ish-Kryeministri Albin Kurti dhe presidentes së  përkohshme Vjosa Osmani shërbeu si një shenjë e kombit që po përpiqet të lëvizë në një drejtim më demokratik dhe progresiv.

Ajo që është më pak e qartë është se si qëllimet e partisë do t’i shërbejnë të ardhmes së kombit. Suksesi i LVV në këto zgjedhje ishte befasues, pasi partia fitoi dyfishin e votave  në krahasim me zgjedhjet e 2019: me gati 50% të votave.

Qëndrimi anti-korrupsion, pro-mirëqenies dhe pro-Shqipërisë i LVV  fitoi shumicën në 2021, pjesërisht për shkak të qasjes së tyre politike, por gjithashtu për shkak të mosbesimit ndaj partive të tjera. Shkatërrimi dhe rindërtimi  i LDK-së  qeveritar nuk u pranua nga shumë qytetarë. Dorëheqja e Presidentit Thaçi nën presionin ndërkombëtar nuk e ndihmoi Partinë Demokratike të Kosovës gjatë zgjedhjeve. Madje situata u përkeqësua edhe më tepër kur Kryetarja e Kuvendit Vjosa Osmani zgjodhi të kandidojë me LVV.

Pavarësisht popullaritetit të LVV  është e paqartë nëse partia mund t’i zbatojë masat me lehtësi pasi të mblidhet asambleja.

Situata nuk është krejtësisht e favorshme. Mesazhi anti-korrupsion i cituar shpesh si pjesa kryesore e lëvizjes është për tu admiruar, siç janë planet për të miratuar legjislacionin anti-korrupsion dhe antimafia përmes asamblesë. Sidoqoftë, është venë re se në vende të tjera si për shembull Mali i Zi, përpjekje të tilla shpesh kërkojnë kohë, minohen dhe duken si joefektive. Më konkretisht, Kosova ka të njëjtin problem që analistët tregojnë se ka minuar edhe suksesin e Malit të Zi: mënjanimi i herëpashershëm nga kushtetuta. Kosova nuk ka pasur një qeveri të plotë,  një mandat të plotë në detyrë që nga pavarësia de facto e kombit në 2008. Si e tillë, qeveria e Kurtit mund të mos jetë në gjendje të krijojë ndryshime thelbësore në katër vite.

Ne nuk mund ta gjykojmë suksesin e qasjeve të Kurtit ndaj anti-korrupsionit derisa ai t’i zbatojë ato. Shqetësime të tjera të vlefshme të ambicies së LVV shkojnë përtej realizueshmërisë së qasjes së saj ndaj korrupsionit. Qëndrimi pro-policisë i partisë dhe shërbimi i detyrueshëm ushtarak mund të shërbejnë vetëm për të rritur tensionet brenda vendit dhe në rajonin e gjerë të Ballkanit si një e tërë.

Për më tepër, ndërsa zotimi i partisë për të përmirësuar dhe zgjeruar shërbimet sociale në vend është për tu admiruar,  ngrihet pyetja se si një komb i cilësuar shpesh si një nga më të varfrit në Europë supozohet të paguajë për këto programe.

Ky shqetësim vjen kur merret parasysh se taksimi i tepruar mund të shkaktojë probleme të mëtejshme për qytetarët e kombit. Ndërkohë, propozimet ekonomike të partisë LVV, të tilla si planet për t’u bashkuar me Shqipërinë, si në rastin e  një monedhë kombëtare në vend të euros, mund të shkaktojë probleme në tregtinë e jashtme.

Në qendër të programit të LVV është vetëvendosja e popullit kosovar. Tani që partia është në pushtet, ka të ngjarë që ata do të përpiqen të veprojnë sipas ideve që  kanë paraqitur në të kaluarën në lidhje me Tokën e Shqiponjave.

Këto masa përfshijnë përdorimin e monedhës së Shqipërisë, heqjen e një neni nga Kushtetuta e Kosovës që parandalon kombin dardan nga bashkimi me një shtet tjetër dhe  referendumin  mbi bashkimin me Shqipërinë.

Shqiptarët etnikë përbëjnë shumicën e popullatës kosovare, të ndjekur nga boshnjakët, serbët dhe grupe të tjera etnike. Të dhënat sugjerojnë se një shumicë e shqiptarëve etnikë që jetojnë në Kosovë janë pro bashkimit të “Shqipërisë së Madhe”, duke nënkuptuar se referendumi ka të ngjarë të ishte i suksesshëm.

Sidoqoftë, ky ndryshim mund të jetë më keq për kombin në tërësi, kryesisht për pakicat etnike në Kosovë.

Siguria e kombit për pakicat etnike, veçanërisht brenda procesit legjislativ, nuk janë pasqyruar në politikën shqiptare. Meqenëse LVV mund të ketë nevojë për mbështetjen e disa partive të pakicave për të fituar një shumicë në asamble, referendumi mund të jetë i vështirë.

Për më tepër, një bashkim i tillë  me siguri vetëm do të rrisë tensionet midis Shqipërisë, Kosovës dhe Serbisë.

Serbia, ende pretendon se Kosova është një provincë autonome dhe është shtëpia e shumë shqiptarëve etnikë të cilët mund të lëndohen nëse tensionet rriten. Ky fakt, i kombinuar me qëndrimin e ashpër që LVV pritet të marrë për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, vetëm mund të tensionojë edhe më keq marrëdhëniet dhe jo t’i përmirësojë ato.

Qëndrimi pro-perëndimor, anti-serb i Kurtit tashmë mund të jetë një anë pozitive për rimëkëmbjen e kombit nga COVID-19, pasi ai e ka bërë të qartë se nuk do të pranojë vaksina nga Serbia.

Pengesa kryesore e Kosovës për të korrur sukses brenda dhe jashtë vendit është mungesa e njohjes së sovranitetit, dhe tensionet e mëtejshme me Serbinë dhe Rusinë vetëm do t’i përkeqësojnë gjërat.

Mund të ketë një mënyrë që LVV të arrijë të gjitha qëllimet e saj në kurriz të askujt.  Të cilësohen këto qëllime si diçka më pak se një sfidë e frikshme është një gabim.

Suksesi i LVV paralajmëron fitore të mëdha për Kosovën.

Një mision idealist për t’i dhënë fund korrupsionit, programet e mirëqenies për qytetarët e saj dhe një nxitje për integrim më të madh me Bashkimin Europian janë padyshim efektet pozitive të një asambleje të LVV.

Sigurisht ekzistojnë pengesa të shumta dhe të rëndësishme për objektivat e LVV. Ndërsa kombi feston pavarësinë e tij këtë javë, duhet të kujtojmë se ndërsa partitë fitojnë me vota, shtetet-kombe fitojnë me mbijetesë – dhe kjo është çfarë Kurti duhet të ketë parasysh. Përktheu Sonila Backa/abcnews.al