Mali i Zi sot votoi për zgjedhjet parlamentare, dhe se sipas rezultateve të para jozyrtare, fitues është Lëvizja “Evropa Tani”, e presidentit aktual të vendit, Jakov Milatoviç, përcjell INA.
Sipas projeksionit të Qendrës për Monitorim dhe Kërkim (CeMI) nga mbi 90% të votave të përpunuara:
Lëvizja Evropiane e Milatoviçit ka fituar 25.6% ose 23 deputetë, Koalicioni “Së Bashku” i prirë nga partia DPS e Gjukanoviqit (DPS-SD-LP-DUA) 23.8% apo 21 ose 22 deputetë
Koalicioni i Demokracisë së Re Serbe-Partia Popullore Demokratike dhe Partisë Punëtore 15% apo 13 deputetë
Demokratët dhe Lëvizja Qytetare URA e Dritan Abazoviqit me 12,2% apo 11 deputetë
Partia Boshnjake 6,98% apo 6 deputetë
Partia Popullore Socialiste dhe Demos 3,3% apo 3 deputetë
Forumi Shqiptar i drejtuar nga kryetari i komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj fitoi 2% apo 2 deputetë
Koalicioni i Aleancës Shqiptare me deputetin Genci Nimanbegu fitoi 1.4% apo 1 deputetë
Nisma Qytetare Kroate 0.5% apo 1 deputetë
Ndërkohë janë disa parti politike që nuk arritën të kalojnë pragun.
Rreth 542 mijë votues votuan për të zgjedhur 81 deputetë të parlamentit malazez. Në konkurrencën e ashpër ishin 15 parti dhe koalicione, duke filluar nga grupet pro-perëndimore deri te ato që janë pro-serbe dhe pro-ruse.
Ndryshimet brenda garës
Këto ishin zgjedhjet e para pa ish presidentin Milo Gjukanoviç, i cili pas gati 30 vjetësh shërbimi si kryeministër ose president i vendit, humbi zgjedhjet presidenciale në muajin prill përballë udhëheqësit të lëvizjes “Evropa Tani”, Jakov Milatoviç.
Një ndryshim i madh ndodhi tek koalicioni i Frontit Demokratik pro-serb dhe pro-rus, i cili në zgjedhjet e kaluara formoi shumicën aktuale parlamentare. Ky koalicion politik është ndarë tashmë në tre parti të pavarura dhe sipas të gjitha anketimeve do të ketë një rënie të theksuar.
Dy partitë që pas zgjedhjeve të vitit 2020 së bashku me Frontin Demokratik përbënin shumicën, Lëvizja Qytetare URA e kryeministrit me mandat të përkohshëm Dritan Abazoviç, dhe Demokratët kandidojnë së bashku në zgjedhjet e së dielës.
Kush e formon Qeverinë e re?
Partitë proevropiane bindshëm janë fituese të zgjedhjeve. Për të formuar Qeverinë duhet 41 deputetë nga 81 sa numëron Parlamenti i Malit të Zi.
Sipas projeksioneve të para, do të ketë një Qeveri proevropiane, që do të udhëhiqet nga koalicioni “Evropa Tani” e Milatoviqit me 23, ndërsa partneri i tyre pritet që të jetë koalicioni Demokratët dhe Lëvizja Qytetare URA me 11 deputetë, Partia Boshnjake me 6 ose 7 deputetë, si dhe partitë shqiptare me 3 deputetë, duke mos përjashtuar edhe një deputetë të pakicës kroate, që gjithsejt mund të shkojnë me një shumicë deri në 45 deputetë.
Koalicioni Demokratët dhe Lëvizja URA e kryeministrit të deritanishëm Dritan Abazoviq sërish është vendimtare në formimin e Qeverisë dhe numrat mundet që sërish ta rizgjedhin ate në krye të një qeverie proevropiane.
Votimet e sotme janë të gjashtat me radhë që kur vendi i vogël ballkanik shpalli pavarësinë në vitin 2006. (N.PAJAZITI/INA)