Zgjedhjet në rrezik, KQZ anulon tenderët e mbarëvajtjes

0

Neritan Gjergo

Ndërkohë që kriza politike që ka mbërthyer vendin dhe parlamenti është tkurrur me daljen e deputetëve të opozitës, edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është në ngërç. Edhe pse kryeministri Edi Rama ka deklaruar se zgjedhjet do të zhvillohen dhe nuk do të jenë as të parakohshme e as të shtyra, ndërsa kryeopozitari Lulzim Basha kërkon kushte, të cilat me gjasë nuk do të aprovohen, KQZ ka dhënë një sinjal rreziku që zgjedhjet mund të dështojnë në 30 qershor. Institucioni hapi tenderin e zakontë parazgjedhor për prodhimin e materialeve zgjedhore në datën 31 mars, me afat deri në 24 prill. Por, edhe pse ky afat nuk ka përfunduar ende, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e ka anuluar tenderin. Në arsyetim, KQZ shkruan se tenderi anulohet për shkaqe që dalin jashtë kontrollit të autoritetit kontraktor dhe të paparashikueshme në procedurën e prokurimit. Ky nuk është një argument për të eliminuar procedura të parregullta, apo mungesën e kompanive që ofrohen për të marrë pjesë në garë, pasi të tilla janë shfaqur, por ky është një sinjal që vë në pikëpyetje mbajtjen e zgjedhjeve, me apo pa opozitën e pavendosur dhe me mazhorancën e sigurt për të shkuar drejt kutive të votimit. Pra, shkak i anulimit janë “Procedurat kanë dalë jashtë kontrollit dhe fuqisë së veprimit të Autoritetit Kontraktor, për shkak “të situatës së pa parashikuar”, në fillim të procedurave të prokurimit (shpalljes së tenderëve).

Tenderët

Janë tre tenderë të shpallur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në fund të muajit mars, “Për prodhim, afishim i materialeve promocionale për zgjedhjet vendore 2019”, me fond limit 11,4 milionë lekë; “Prodhim tabela të rezultateve, manuale trajnimi për zgjedhjet vendore 2019”, me fond 22 milionë lekë dhe tenderi për “Prodhimin e dhomave të fshehta dhe kutive të kartoni për zgjedhjet lokale” me vlerë 9 milionë lekë. Specifikat për materialet që nevojiten për mbarëvajtjen e zgjedhjeve janë të shënuara në secilin prej tyre, por sot për sot ato mbeten vetëm si informacion sasior, pasi në 15 prill, vendimi që ka marrë KQZ e bën gjithçka të pavlefshme për organizimin e zgjedhjeve lokale. Këto dhe procedurat e tjera përgatitore materiale për zgjedhjet e 30 qershorit, si prodhim vulash për qendra votimi, prodhim vulash sigurie të kutive të votimit, blerje kuti votimi e prodhim fletësh votimi, janë anuluar, me Vendim Nr. 2244/1 Prot., datë 09.04.2019, të Autoritetit Kontraktor (KQZ), shpallur në datën 09.04.2019.

Kriza

Opozita, e kryesuar nga Partia Demokratike dogji mandatet në muajin shkurt, ndërsa kërkon një qeveri tranzitore që do ta çonte vendin në zgjedhje të parakohshme parlamentare, duke bërë automatikisht shtyrjen e zgjedhjeve lokale për në periudhën shtator-tetor. Nga ana tjetër kryeministri Edi Rama ka bërë thirrje për dialog, por sipas tij qeveria është legjitime pasi ka marrë votat e qytetarëve. Por, pas protestave të përsëritura, para kryeministrisë dhe parlamentit, të cilat nuk rezultuan brenda planeve të saj, vetëm pardje Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike ka votuar në mënyrë unanime propozimet e kryetarit Lulzim Basha dhe Kryesisë së PD për zgjedhjet. Kryetari i PD, Lulzim Basha, i propozoi kryesisë marrjen e 3 vendimeve të rëndësishme, një prej tyre se PD do të regjistrohet në zgjedhje vetëm pasi të jenë krijuar kushtet për zgjedhje të lira. Këshilli Kombëtar ka qenë dakord duke mbështetur unanimisht propozime. “Partia Demokratike e Shqipërisë të regjistrohet në zgjedhje vetëm pasi të jenë krijuar kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Situata aktuale politike në Shqipërisë, nuk mundëson standardet demokratike për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Është provuar se Qeveria e Edi Ramës ka bashkëpunuar me krimin e organizuar për blerjen e votave. Partia Demokratike e Shqipërisë të mos lejojë mbajtjen e zgjedhjeve fasadë, që shkatërrojnë demokracinë dhe vullnetin e qytetarëve shqiptarë. Të mandatojë Kryetarin e Partisë dhe Sekretarin e Përgjithshëm për të negociuar me partitë politike të opozitës marrëveshjen për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, mbrojtjen e interesit publik dhe formalizimin e aksionin opozitar për arritjen e këtyre qëllimeve”, janë tre kërkesat e PD-së, të cilat në këtë fazë, pa përgjigjen pozitive nga mazhoranca, nuk japin asnjë garanci, së pari që zgjedhjet të zhvillohen të qeta dhe së dyti, që zgjedhjet të zhvillohen në 30 qershor. Ndërkohë, edhe pse kushtet e PD-së, kryeministrit Edi Rama i duken absurde për t’i pranuar, ai është i vendosur që zgjedhjet lokale të zhvillohen në 30 qershor 2019, ndërsa zgjedhjet e përgjithshme të mbahen në vitin 2021. “Mandati që shqiptarët i kanë dhënë Partisë Socialiste për të qeverisur e vetme, pa të tjerë në prehër, deri në vitin 2021, është një ide ngushëlluese për të ridalë prapë te gardhi. Këtu në Parlament nuk i fut dot ajo ide më ata, para qershorit të vitit 2021”, ka deklaruar Rama nga foltorja e parlamentit. Me apo pa PD dhe LSI, 30 qershori në këndvështrimin e Edi Ramës do t’i gjejë shqiptarët përpara kutive të votimit. “Hyjnë ata në zgjedhje, s’hyjnë ata në zgjedhje, zgjedhjet vendore do të bëhen në afatin e caktuar dhe ne do të marrim përsipër të qeverisim edhe aty ku ata kanë qeverisur deri më sot, e do të qeverisim shumë më mirë sesa ata, edhe për ata që neve nuk na kanë votuar dhe përsëri nuk do të vijnë të na votojnë”, u shpreh Rama.