Ministrat nga radhët e ASH-së, Azir Aliu i Shoqërisë Informatike dhe Administratës dhe Fatmir Mexhiti i Shëndetësisë sot në ora 18:00 kanë thirrur në Qeveri një konferencë për mediat.
Ata pritet të bëjnë publike qëndrimet e tyre pas zërave dhe kërkesave nga një pjesë e ASH-së, gjegjësisht komisioni kadrovik i kësaj partie që sot tha se me shumicë votash do t’i propozoj kryeministrit Talat Xhaferi që të shkarkojë dy ministrat Mexhiti dhe Aliu.
Këta dy të fundit u deklaruan hapur se mbështesin kryetarin e partisë Arben Taravari në vendimin e tij për të shkuar në koalicionin me LEN-in.
Nga ASH informojnë se “Komisioni kadrovik i përbërë nga 7 anëtarë, si i vetmi organ i ASH-së për çështje kadrovike, me shumicë prej 5 votash, vendosi t’i propozojë Kryeministrit shkarkimin e Ministrit të Shoqërisë Informatike dhe Administratës dhe Ministrin e Shëndetësisë. Në njoftim shkruhet se ky vendim u soll pasi përmes fuqisë së funksionit ministër, por pa poste partiake, dy ministrat, sipas ASH-së, kryejnë veprime që bien në kundërshtim me Kodin Etik, përfshirë shantazhet dhe presionet ndaj anëtarëve të ASH dhe të punësuarve, si dhe koketimin e sotshëm publik me VMRO-DPMNE, duke i shkuar në zyrë ministrit të saj.(INA)