Ziadin Sela në Dibër: Do t’i zbardhim rastet korruptive dhe krimin politik

0

“Dëgjojmë shpesh fjalime politike në të cilat thuhet se rinia është e ardhmja. Rinia është e tashmja vëllezër e motra të nderuara. Rinia e munguar është realiteti ynë i hidhur, ajo që nuk i shohim të rinjtë”, tha mes tjerash Ziadin Sela.

Sela tha se brenda 100 ditëve të para të qeverisjes do ti kërkohet Bashkimit Evropian që të sjellë gjykatës dhe prokurorë me qëllim që të zbardhen të gjitha rastet e montuara politike në vend. Përveç kësaj, Sela premtoi se do të zbardhen edhe lëndët që kanë të bëjnë me korrupsion dhe krim politik.

“E them me keqardhje dhe me shumë fatkeqësi për ne sepse po na rrënohet imazhi. Shqiptarët nuk janë të tillë. Vula e korrupsionit për liderin e Bashkimit Demokratik për Integrim nuk vjen nga tubimi i ASH-AAA këtu apo nga pëshpëritjet e ndonjë subjekti tjetër politik, por mban vulën e Shteteve të Bashkuar të Amerikës në Gjykatën e Nju Jorkut ku u akuzua për korrupsion me rastin e Maxhar Telekomit. Të gjitha këto çështje do të duhet të zgjidhen, jo sepse kemi inat ndonjë shqiptar, por këto lloj veprash dhe këto lloje dosjesh bëhen nga shqiptarë shumë të vegjël, të cilët pastaj kërcënohen dhe e mbajnë të pashpresë një popull. Ju e keni në dorë që t’i largoni nga skena politike këto shqiptarë që mbajnë peng ardhmërinë e shqiptarëve”, theksoi Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela.

Sela kërkoi nga dibranët që më 15 Korrik të rrethojnë numrin 5, si garancë për ta shpëtuar të ardhmen e fëmijëve të gjithë shqiptarëve.(INA)