Ziberi nga Tetova: Komunat do të marrin më shumë para nga shteti

0

Kandidati për Kryeministër të parë shqiptar Naser Ziberi sot në Komunën e Tetovës realizoi takim me kryetaren e Komunës Teuta Arifi, ku morën pjesë edhe kryetarë të komunave të tjera siç janë Hekuran Duka, kryetar i Komunës së Dibrës, Visar Ganiu, kryetar i Komunës së Çairit dhe Erkan Arifi, kryetar i Komunës së Likovës.

Në takim u diskutua rreth angazhimeve të tij si kryeministër për një zhvillim më të shpejtë të rajoneve të cilat janë më së shumti të prekura nga shpërngulja e të rinjve.

“Më të prekura nga migracioni janë rajonet. Të rinjtë shpërngulen në Shkup dhe jashtë vendit, duke braktisur rajonet për shkak të mungesës së mundësive dhe mungesës së infrastrukturës. Këtu duhet të veprojmë – dhe jo vetëm në nivel të centralizuar, por së bashku me komunat”, theksoi Ziberi.

Gjatë vizitës Ziberi me Arifin, Dukën, Ganiun dhe Erkan Arifin, nënshkruan një “Memorandum për ardhmërinë” me të cilin merren përgjegjësi për trajtimin e decentralizimit fiskal për zhvillim të balancuar rajonal, për t’u siguruar që komunat do të kenë në dispozicion buxhet më të madh për projekte të rëndësishme infrastrukturore.