Zjarr në pyllin e fshatit Tragjas në Vlorë/ Zjarrfikësit në vendngjarje, vështirësi në ndërhyrje. Dyshohet zjarrvënie e qëllimshme

Zjarret vijojnë të marrin përpara kullota e pyje në vend, duke shkaktuar dëme të mëdha, ndërsa një tjetër vatër është aktivizuar sot në fshatin Tragjas të Vlorës.

Sikurse mund të shihet edhe nga pamjet, flakët favorizohen edhe nga era, duke u përhapur me shpejtësi nëpër në pyll.

Në vendngjarje kanë shkuar forcat zjarrfikëse që po punojnë me mjete rrethanore për shuarjen e flakëve, por puna e tyre vështirësohet nga era. Paraprakisht dyshohet se zjarrvënia është e qëllimshme.

Zjarret kanë shkaktuar deri më tani dëme kolosale në Vlorë, Fier, Lushnjë dhe Kurbin. 120 ha kullota dhe pisha të buta janë djegur përgjatë 4 ditëve kur flakët përpinë malin e Dukatit në Vlorë.

Flakët e zjarrit ka shkrumbuar 7 mije rrënjë ullinj në fshatin Zhejë të Kurbinit, duke shkaktuar një dëm kolosal për fermerët. Brenda muajit korrik janë shënuar 10 vatra zjarri në Bashkinë e Lushnjës, shumica aksidentale, ndërsa në dy raste policia ka ndaluar dy persona për zjarrvënie të qëllimshme.

Për 4 ditë me radhë zjarret në fshatrat Lalar, Kraps dhe Gjorgoz kanë djegur rreth 3 ha me pisha, afro 300 rrënjë ullinj si dhe 500 metra me vreshta.

Ndërkohë problem është edhe fakti i mungesës së pajisjeve të duhura për zjarrfikësit për të shuar flakët.