Zjarrfikësit kërcënojnë me protesta! Ankohen se nuk po e marrin 20 përqindëshin e rrezikshmërisë

0

Puna e tyre e përditshme është t’i dalin përball zjarrit.

Zjarrfikësit janë ata të cilët shpesh herë shpëtojnë edhe të dashurit tonë.

Por këta heronj thonë se nuk po u paguhet haku i punës.

20 përqindëshi i rrezikshmërisë që u takon nuk po e marrin.

Zjarrfikësi Premtim Koxhaxhiku thotë se sipas ligjit të vitit 2014, përveç rrogës, duhet të marrin edhe pjesën shtesë prej 20% të rrogës, por deri tani nuk ka ndodhur një gjë e tillë.

“Edhe iniciativa jonë ishte që ne si zjarrfikës e bëmë një ditë iniciativën që tu japim një afat prej pesë ditë pune që këtë ta shqyrtojë qyteti i Shkupit që normal pas pesë dite nëse nuk arrihet një marrëveshje ne do të dalim në protestë. Ta kërkojmë atë që neve na takon, ne nuk po kërkojmë rritje të rrogës, por ne kërkojmë atë që neve na takon 20% e rrezikshmërisë në punë”, tha Premtim Koxhaxhiku – zjarrfikës.

Kryetari i qytetit të Shkupit Petre Shilegov thotë se po punohet për zgjidhjen e këtij problemi.

Shtoi se Qytetit të Shkupit deri tani i kanë kushtuar 80 milion denarë paditë e zjarrfikësve.

“Unë si kryetari Shkupit dhe kryetar i Bashkësisë së njësive për vetëqeverisjes lokale, së bashku me ministren e mbrojtjes dhe me sindikatat e zjarrfikësve po punojmë që të gjejmë një zgjidhje të qëndrueshme me të cilën përfundimisht do të kualifikohen në mënyrë ligjore vendet e tyre të punës. Deri tani nuk ishin të definuar vendet e punës. Për informacionin tuaj deri tani për paditë që i kanë ngritë zjarrfikësit për kompensimin e shtesave qytetit të Shkupit i ka kushtuar 80 milion denarë”, u shpreh Petre Shilegov – Kryetar i Qytetit të Shkupit.

Nesër është afati i fundit që e kanë dhënë zjarrfikësit.

Nëse deri nesër nuk do të ketë një zgjidhje ata do të protestojnë për të kërkuar 20% e pagës së rrezikshmërisë.