Zonja nga Ballkoni

0

Nga Anton Marku/

Edhe sot, ashtu si dy javët e kaluara ajo e nisi ditën me lutje, të cilat edhe ashtu i thoshte në mënyrën e saj, shkurt dhe qartë.

-”Jeta ime ka nevojë për një sistem të ri navigimi” – mendoi para se të mbushte mushkëritë me ajër vjenez dhe lëkundë flokët ngjyrë gri, apo më mirë të thuhet flokëzat e rralla që si fije të gjata ende i rrinin ngjitur për kokë.

Në një libër të viteve të 60ta kishte lexuar se që kur u zbulua puthja njerëzit marrin frymë më lehtë. Edhe sot i besonte kësaj teorie mu si në atë kohë kur sheshet e qyteteve vërshoheshin çdo ditë nga të rinjët që kërkonin diçka e as vetë nuk e dinin tamam se çka.

Adoloshenca e saj ishte si arra. Ajo shpeshherë ka krimbin brenda, por këtë nuk e di as ai që e jep e as ai që e merr. Kështu lindin së pari keqkuptimet e më pas mospajtimet. E ditari i saj është i mbushur me të tilla.

-”Eh … unë kam gjuajtur shpesh gurë në lumenj pa u menduar shumë. Kam përjetuar edhe kohërat kur në trend ishte ”dashuri pa aftë skadence” e edhe shumëçka tjetër. Çfarë të bësh. I tillë paska qenë fati im. Ai që pothuajse gjithmonë gjendej në anën tjetër të urës”. – pëshpëriti ngadalë sa për të pushuar pak.

Nuk u martua asnjëherë dhe kishte vite që dashuria i ishtë bërë si një tatuazh, të cilin njeriu e bartë në shpinë, por nuk e sheh. Në këtë fushë tashmë një dekadë kishte hyrë në një pauzë kreative.

-”Sytë mbesin të rinj edhe kur gjithçka tjetër plaket” – vazhdoi mendimin e lënë përgjysëm por nuk e vazhdoi më tutje pasi që nuk kishte vullnet që ta mundonte kokën me pyetjen se çfarë do të mund të nënkuptonte ”shumëçka”.

E kur përmendi sytë mendja i shkoi në ditën e parë kur kishte takuar heroin e saj aktual, zotin Miller, që banonte në ndërtesën përballë. Kjo kishte ndodhur shtatë muaj më parë dhe që nga atëherë në kokë i rrotullohehin mendime të përziera. Diçka nga brenda i thoshte se mbase ai do të mund të ishte burri i vjeshtës të saj. Por, në këtë tregim kishte një problem: vetmia i kishte humbur guximin dhe ajo ishte bërë shumë e tërhequr duke humbur vetbesimin që kishte pasur dikur, atëherë kur nuk e nguronte fare që t’i shprehte ndjenjat e saj pa pritur që këtë ta bënin ata, gjina më e fortë.

Filloi të interesohej fshehurazi për të, ashtu me stil, pa rënë në sy, dhe kishte kuptuar se ai kishte bashkëjetuar për shumë vite me një mjeke prej së cilës ishte ndarë rishtaz. Sapo mendoi se ai tashmë ishte i lirë për tu ”peshkuar” u trondit kur dëgjoi fqinjët tek pëshpërsinin se tani zoti Miller kalonte natën me dy të panjohura. Kjo e bëri xheloze, shumë xheloze. Vetëm pas disa javësh e mori vesh se ai në të vërtetë ishte mësues i matematikës dhe se ajo që thuhej për të nuk ishte e vërtetë, por shaka prej atyreve me shumë kripë.

Ajo ishte një tip i veçantë, ndryshe nga të tjerët. Gjithmonë kishte qenë e tillë. Edhe tash kur njerëzit i kishte kapluar frika e infektimit nga virusi i padukshëm, ajo refuzonte të barte maskë. Edhe atëherë kur për një të tillë në njërën nga barnatoret në ”Mariahilf.” kërkoheshin 20 euro e edhe më vonë kur ato filluan të shpërndaheshin falas nëpër supermarkete. Thjeshtë e adhuronte fytyrën e saj, ashtu siç ishte, me ndonjë rrudhë aty-këtu, dhe nuk donte ta fshihte atë. Për asnjë çmim.

*****

Shikoi nga dritarja, pastaj në kutinë e varur në mur. Po afrohej ora tetëmbdhjetë dhe ajo, pasi që kishte kaluar minuta të tërë para pasqyrës, tashmë ishte e gatshme për të dalë në ballkon dhe filluar, bashkë me miliona të tjerë në tërë botën, ritualin e duartokitjeve.

Njerëzit kishin dalur jashtë dhe po bashkonin duart pa ndonjë ritëm të caktuar. Ata që po ecnin poshtë ndërtesave kthehnin kokat lart dhe bënin me dorë në drejtim të tyre, duke i dhënë njëri-tjetrit kurajo. Asaj iu duk se këtë radhë zoti Miller u vonua pak, por u qetësua kur pa se pas një lëvizje të perdeve, ai u duk në ballkonin e tij. Zemra filloi t’i rrahë më shpesh dhe diçka i dridhi trupin. Nuk ishte era. Ishte aroma e parfumit të tij, që i dukej se kishte kaluar rrugën dhe e kishte prekur diku në qafë.

Sot iu duk edhe më i bukur se herave të tjera. Edhe pse nga fletët e mëdha të luleve nuk po shihej i tëri, pantollonat e kaftë, kombinuar me këmishë të kaltër dhe kravatë të kuqe i rrinin për mrekulli. Vetëm po priste që ai ta kthente kokën drejt saj dhe t’i thoshte atë që kishte mësuar përmendësh dhe përsëritur pesëdhjetë herë në ditë, që nga e diela, ditën kur vendosi që, pasi nga ai nuk po merrte ndonjë sinjal, më në fund do të ishte ajo e cila do të bëj hapin e parë.

Dhe, tash ishte rasti i duhur t’i bënte një compliment, sa për ngrohje. Mblodhi tërë muskujt e trupit, nxori dritë nga sytë, u besoi buzëve, mori guximin që i kishte munguar deri më tash dhe tha butë, por mjaftueshëm që ai të mund ta dëgjonte:

-Rrobat po ju rrinë shumë mirë zoti Miller!

Ai ktheu sytë nga ajo. E shikoi disi hutueshëm, mendoi pak më gjatë se sa burrat e zakonshëm të këtij qyteti, dhe ia ktheu:

-Po përshtaten më shumë me trup apo me ftyrë?

-Për fat të keq timin, trupin nuk po ua shoh të tërin. Mbase po u afruat edhe pak drejt ballkonit tim do të mund të ju jap një vlerësim më objektiv dhe më të saktë. – tha ajo me një zë që po i ikte.

Ai e hapi gojën. Dukej se ishte gati të thoshte diçka. Por e mbylli sërisht dhe nuk tha asgjë.

-Ju po bëheni secilën ditë më i ri, zoti Miller! – tha dhe citoi një frazë tjetër nga ato që kishte mësuar duke i ulur pak syzet që i kishte blerë gjatë pushimeve verën e kaluar në Shqipëri.

-Faleminderit zonjë e nderuar! – u përgjigj ai ngadalë me një tundje koke në shenjë respekti.

-”uaaau … çfarë zëri simpatik! Dhe më tha dhe zonjë e nderuar” – u ngallëzye ajo dhe ndjeu se si arteriet e zemrës po i zgjeroheshin. Por, në çastin tjetër do të pësonte tronditeje emocionale kur zoti Miller vazhdoi fjalinë e nisur po me atë ngadalësi:

– Nuk jeni e vetmja ju që e thoni kështu. Këtë e bëjnë edhe të gjitha pensionistet e bllokut tim.

-”… dhe çfarë do të thotë ai me këtë … ndadalë, ngadalë … më duhet ta analizoj domethënien e kësaj që sapo dëgjova … hë … e si ka mundësi që këtë kompliment të ja bëjnë edhe të tjerat. Athua sa janë ato në ndërtesën e tij? … mbase janë shumë sepse mu duk se ngrit pak zërin kur tha ”të gjitha” … hëëëë … athua i ka të gjitha dashnore? … jo, jo, nuk e besoj, nuk ka mundësi, nuk mund të jetë e vërtetë, nuk guxon të jetë e vërtetë … ” – nisi të bluante në kokë ajo dhe hetoi se si ca pika djerse të ftohtë i rrëshqitën poshtë faqeve.

U përpoq të mbante vetën nën kontoll. U përtyp dhe skuq kur e shiko prapë, dhe përsëri iu duk i bukur, tmerrësiht i bukur. Për një çast, përderisa të tjerët ende po duartrokisnin nëpër ballkonet e tyre, i shkoi mendja që të shkruante numrin e saj të telefonit në një letër të madhe dhe ta mbante për minuta të tërë para vetes, me shpresë se ai do ta kuptojë porosinë e saj dhe do ta thërras sapo të bie terri. Por hoqi dorë nga kjo ide e çmendur sapo mendoi se do të mund ta shihte Ruza, fqinja e saj e parë në të majtë, e pastaj do ta përgojonte aq fort saqë do të bëhej objekt talljeje në tërë katin e pestë e ndoshta dhe në tërë lagjen.

Deri këtu iu duk se fati po ia hapte derën me një dorë, por pas kësaj pati përshtypjen se ai ia përplasi atë për fytyrë me të dyjat, pasi që derisa ajo po mendonte strategjinë dalëse nga kjo situatë e papritur, pra po merrej me ”Brexit-in” e saj, njerëzit ishin larguar nga ballkonet dhe tashmë ishin kthyer nëpër dhomat e tyre të ditës. Mes tyre edhe zoti Miller.

-”Epo nuk mund të ecet rrugëve të reja me këpucë të vjetra” – tha me zë të lartë dhe instiktivisht hoqi këpucët e bardha me taka të larta që me vetëdije i kishte mbathur edhe këtë herë vetëm e vetëm që para tij të dukej më e gjatë se sa në të vërtetë ishte.

*****

-”Vdekja duhet të ketë sy të bukur” – mendoi ajo para se ta zinte gjumi. Një çast më vonë iu dorëzua ëndrrës. Asaj që e priste. Atë që po shihte po ndodhte diku larg, në një vend që nuk kishte emër. Nuk ishte vetëm. Me të ishte dhe ai.

Të nesërmen trupi nuk e dëgjoi që të ngritet nga krevati. Saktësisht në ora tetëmbëdhjetë e mori lemza disa herë. Duke se dikush po e përmendte emrin e saj. Se kush nuk e dinte, por e dinte se thellë në shpirti do të donte të ishte fqinji i saj përballë rrugës, zoti Miller.

Prillin ende nuk e kishte shlyer nga kalendari.