Zonja që u dëbua nga skena në Prizren ka një porosi për Haradinaj/INTERVISTA

0

Pasardhësja e gjeneralit Mehmet Deralla, Valdete Deralla, ka fol ekskluzivisht për gazetën “Bota sot”, lidhur me atë që ndodhi në 140 vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Zonja Deralla, ka treguar se aty ishte me një ftesë të një ish komandanti të luftës.

Ajo ka thënë se, nuk ia falë kryeministrit Ramush Haradinaj, i cili ia ndërpreu fjalën duke kapur për duar.

Pasardhësja e gjeneral Derallës, fton në një ballafaqim ballë për ballë kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinajn.

Në anën tjetër, për këshilltarin e kryeministrit Jahja Lluka, Deralla ka deklaruar se është servil. “Mjerë Ramushi kush e këshillon” thotë ajo.

Gazeta “Bota sot”: Çka ndodhi në manifestimin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, si u ndjetë në momentin kur kryeministri Ramush Haradinaj, ua ndërpreu fjalën?

Valdete Deralla: Ka ndodhur pikërisht ajo që është pa edhe në televizion, por edhe diçka tjetër me Jahja Llukën dhe me shoqëruesin që na ka ftuar në Kosovë. Ai ishte Zeqë Hoxha një ish komandant i luftës, i cili pasi ka ndodhur ngjarja i është ulur diabeti dhe është dërguar në spital. Ai ka rënë me fytyrë në tokë dhe ka një plagë. Unë nuk e kam ditur se çka ka ndodhur më të dhe jam larguar nga Prizreni, më vjen keq sepse do isha ndalur ta vizitoja.

Unë pas asaj ngjarje pres të ballafaqohem me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj. Për respektin që kisha për të, kam ardhur edhe kur ai ishte në Hagë, duke menduar që është liruar dhe kam prit te selia e Partisë së tij për ta takuar, aty më kanë thënë se nuk është këtu dhe morra vesh që është në Hagë.

Në vazhdimësi kam kërkuar të takohem me kryeministrin Haradinaj pasi kam lexuar dy libra për të dhe më është dukur se është hero luftarak. Por fatkeqësisht heronjtë e luftës nuk janë edhe heronj të paqes. Dikush din me luftu por nuk din me mbajtë pozicionin që i takon si një kryeministër që e udhëheq një popull. Është tjetër me udhëheq luftën është tjetër me i udhëheq hallet dhe dertet e atij populli të shumë vuajtur siç është Kosova dhe në përgjithësi shqiptarët.

Unë duke e ruajtur konsideratën për dy librat që i kam lexuar për të, kam shkuar vetëm, pa shofer personal, në këtë moshë, sepse kështu i kam rrethanat. Dhe aty dëgjova se Jahja Lluka është shoqëruesi i Haradinajt. Pleqtë sot drejtojnë botën, por jo sikurse ai (Jahja Lluka). Mjerë Ramushi kush e këshillon, sepse ai është një servil që nuk ka burrëri.

Gazeta “Bota sot”: Por pse? Çfarë ka ndodhur më Jahja Llukën?

Valdete Deralla: Unë desha me pi një kafe me të në 105 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, në Sheshin e “Pavarësisë” dhe ata u treguan çnjerëzor duke ftuar edhe sigurimin e tyre ashtu siç bënë në Lidhjen e Prizrenit. Më në fund arrita që të ia jap një monografi të Mehmet Pashë Derallës të shkruar nga ushtaraku prof. Dr. Vangjel Kasapi. Pra këtë ia dhashë që ta dinte kush e kërkonte dhe për çfarë. Unë atij servili desha të ia jap dorën por nuk më dha mua…

Gazeta “Bota sot”: Por si e shihni atë që bëri Kadri Veseli dhe Ramush Haradinaj në manifestim?

Valdete Deralla: Unë falënderoj Kadri Veselin, i cili doli si një burrështetas, pasi edhe fjalimin e kishte shumë dinjitoz ku tregoi se Lidhja është gjallë.

Kjo që ndodhi në Prizren ka ndodhur edhe në Vlorë, por mediat nuk e bënë të madhe sepse nuk ishte një përplasje direkte me kryeministrinë siç ishte në Kosovë, por ishte vetëm me ato “sorrat” e kryeministrit dukë përfshi edhe ministrin e Arsimit, i cili më premtoi për një ftesë zyrtare, më dha fjalën dhe nuk ndodhi ashtu.

Gazeta “Bota sot”: Çka mundeni të na thoni për kryeministrin Haradinaj?

Valdete Deralla: Unë nuk ia fal këtë Ramushit e askujt tjetër, shyqyr që mu dha mundësia dhe e qoj Zoti, sepse siç thotë populli zullumi këputet nga trashja. Unë jam nga Tetova, dhe nuk është vetëm kjo që ka ndodhur me Ramushin, por ngjarje të ngjashme kanë ndodhur edhe në Tetovë dhe Vlorë. Ky është një fat i keq për Ramushin dhe një fat i mirë i imi që u bë publike kjo.

Unë jam rritë në frymën e gjyshit tim Hasan Pash Deralla, me gjyshen time dhe babin tim i cili u dënua nga diktatura e Enver Hoxhës me 15 vite burgim, vetëm pse morri vesh prokurori sepse babai im është nipi i një gjenerali dhe roli që kishte ai në historinë tonë kombëtare.

Gazeta “Bota sot”: Për çfarë arsye kërkoni ballafaqim me kryeministrin Haradinaj?

Valdete Deralla: Vetëm nëse kryeministri Haradinaj del me një takim ballë për ballë, unë ndoshta… nuk e di çfarë të them dhe si do të vazhdoj ngjarja pasi politikanët tonë, pasi kryeministri tani është politikan dhe jo luftarak, dhe më kërcënoi se po të ishte burrë nuk e di se çfarë do të më bënte. Dhe unë i kthej përgjigje, po të ishte burrë do të kishte vepruar si gjyshi im, sepse vetëm pushka e ndante atë. Do ta provonte ai se çfarë bëjnë gjeneralët e rilindësve. Ramushi mos të tregoj forcë me nënat dhe gratë tjera por le të tregoj forcë me gruan e tij. Kryeministrit Haradinaj i duken përralla fjalët e mia.

Gazeta “Bota sot”: A mund të na tregoni se çka folët në foltore, pa mikrofon dhe për çfarë arsye dole në skenë?

Valdete Deralla: Unë 2/3 e bisedës kam fol pa mikrofon dhe kam falënderuar të gjithë duke ju treguar që në 140 vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit të ju tregoj se kush jam unë…  që stërgjyshit e mi kanë lexuar duke treguar akte madhore për shqiptarët. Aktet e Lidhjes së Prizrenit, aktet e Rilindësve, aktet e Hasan Prishtinës dhe fjalët dalin nga aktet.

Pastaj duke treguar këtë, erdhi kryeministri Haradinaj më morri mikrofonin dhe ndodhi ajo që u pa edhe në televizione.

Është vlerë edhe me i vlerësua paraardhësit tuaj, sepse unë nuk kam pas tjetër gjë në dorën time. Çka mund të bësh tjetër përveç që ti përkushtohesh paraardhësve. Unë luftë nuk mund të bëja. Unë kam qenë arsimtare dhe kam dhënë matematik-fizikë. Unë kam ruajtur pozicionin tim. Babait im thoshte moj bij po të ishe djalë do të ishe në burg. Unë nuk kam as vëlla, as motër, përveç fëmijëve të mi nuk kam tjerë.