Zoran Gjokiq mohon vrasjet gjatë luftës në Pejë

0

Zoran Gjokiq , i akuzuar për krime lufte në lagjen ‘Kristal’ të Pejës u deklarua i pafajshëm për të gjitha akuzat.

“I pafajshëm”, u përgjigj shkurt Gjokiq në pyetjen e Gjyqtarit Special, Arben Hoti.

Zoran Gjokiq akuzohet se gjatë muajve mars-prill të vitit 1999, në lagjen Kristal të Pejës, ka hyrë dhunshëm nëpër shtëpitë e shqiptarëve lokalë dhe i ka detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre.

Siç e përshkruan prokuroria, pas largimit nga shtëpitë, Gjokiq i ka maltretuar fizikisht dhe psiçikisht viktimat.

Më tej, aktakuza shpjegon që Gjokiq së bashku me persona të tjerë pasi kanë arritur tek shtëpia e të ndjerit Hilmi Zeqiraj, kanë plaçkitur dhe kanë detyruar që t’i dorëzojnë të gjitha të hollat. Po ashtu, sipas aktakuzës, në oborrin e po kësaj shtëpie e kishin rrahur Shaban Kaliqanin duke e goditur në fytyrë dhe duke ia thyer dhëmbët ndërsa në ndërkohë e vrasin Hilmiun.

Gjokiq akuzohet edhe se më pas ka ndaluar Skender Zeqirajn, Shaban Kaliqanin dhe Bashkim Berishën, të cilët më pas i ndan dhe me kallashnikov i ekzekuton Zeqirin dhe Berishën.

Sipas aktakuzës, Shaban Kaliqani kishte shpëtuar pasi i akuzuari i ishte drejtuar me fjalët “Ngaj çka po pret”.