Zvicër: Fillon gjykimi i salafistëve, me shqiptarë të përfshirë në proces

0

Këtë të hënë në Gjykatën Penale Federale ka filluar procesi gjyqësor kundër dy mbështetësve të ISIS-it nga shkolla e arteve marciale Winterthur “MMA Sunna”.

I akuzuari i parë ishte bashkëthemelues, ndërsa i dyti ishte në një lidhje me një vajzë të mitur të cilën e kishte bindur që të udhëtonte për në Siri me vëllain e saj, shkruan SDA. E mitura dhe vëllai i saj, janë shqiptarë nga Winterthuri, shkruan albinfo.ch. Për ta është raportuar gjerësisht në mdiat zvicerane, përfhirë dhe mediumin tonë.

Sipas aktakuzës së lëshuar nga Prokuroria Federale (BA), i pandehuri kryesor 34-vjeçar ka qëndruar në Siri nga mesi i nëntorit deri më 9 dhjetor 2013. Aty thuhet se ai i është bashkuar një grupi luftarak që i përkiste milicisë terroriste të Shtetit Islamik (ISIS), transmeton albinfo.ch. Ai kishte bërë roje të armatosura dhe kishte marrë pjesë në misione luftarake atje.

Personi në fjalë është shtetas italian dhe zviceran, i konvertuar në islam.

Pas kthimit nga Siria në Zvicër, ata kanë themeluar shkollën e arteve marciale “MMA Sunna” së bashku me kampionin e dyfishtë botëror të taiboksit, Valdet Gashi në Winterthur.

Veç kësaj, të akuzuarit nga Winterthur drejtuan Projektin “Lies!” (shpërndarje e Kuranit falas rrugëve të qytetit) në Zvicër.

34-vjeçari thuhet se ka përdorur strukturat dhe kontaktet e krijuara në këtë mënyrë për të rekrutuar mbështetës për IS, përcjell albinfo.ch. Aktakuza numëron pesë persona që kanë udhëtuar përfundimisht në Siri për t’u bashkuar me ISIS-in.

Këtu përmendet emri i Valdet Gashit, i cili dyshohet se është vrarë në korrik të vitit 2015 gjatë një operacioni në Siri. Ndërkaq vëlla e motër shqiptarë nga Winterthuri, atëbotë të mitur kanë realizuar udhëtimin e tyre për në Siri nën ndikimin e të akuzuarve.

Sipas aktakuzës, 34-vjeçari ishte në kontakt me përfaqësues me ndikim të Islamit Salafist në vende të ndryshme. Në mesin e tyre ishte edhe Husein Boshnjiq, i cili është dënuar me shtatë vjet burg në Bosnjë-Hercegovinë në 2015 për krime terroriste, transmeton albinfo.ch. Përmenden gjithashtu kontakte me Selafistët në Nuremberg (Gjermani) dhe Austri.

BA akuzon qytetarin nga Winterthuri për përfshirje në një organizatë kriminale. Përveç kësaj, ai akuzohet edhe për përmbushjen e veprës penale të propagandimit të dhunës. Video të ekzekutimeve brutale janë gjetur në celularin e tij.

Përveç për veprat e përmendura, BA akuzon të pandehurin e dytë, tani 37 vjeç, për akte seksuale me fëmijë dhe për pornografi, transmeton albinfo.ch. Ai akuzohet se ka pasur lidhje intime me të miturën e cila pastaj do të udhëtonte për në Siri me vëllain e saj.

Personi i martuar, me shtetësi të dyfishtë, zvicerane dhe maqedonase, thuhet se është martuar me vajzën e re, në tetor të vitit 2014 sipas ligjit islamik dhe pastaj e ka detyruar atë dhe vëllain e saj të udhëtonin për në Siri në dhjetor të vitit 2014.

Ndërsa përpjekja e tij për të arritur atje kishte dështuar pasi që atë e kishte arrestuar policia maqedonase.

BA, pos fotografive të dhunës në celularin e të pandehurit ka gjetur edhe imazhe që tregonin akte seksuale midis njerëzve dhe kafshëve dhe foto të dhunës seksuale ndaj grave të reja.

BA, deri në seancën kryesore, nuk do të njoftojë dënimet e kërkuara, përcjell albinfo.ch. Sipas aktakuzës, kostot e hetimit të procedurës së tanishme arrijnë në rreth 560.000 franga. Të akuzuarit duhet të paguajnë 450,000 franga nga kjo me kërkesën e BA.