Zvicra është e fundit me një pikë në Grupin 4 të Ligës A. Serbia është e treta me katër pikë. Spanja i prin tabelës me 10 pikë, derisa Danimarka ka shtatë.
Dhe për ta arritur synimin, Yakin do të mbështetet në lojtarët e ftuar, përfshirë edhe katër futbollistët shqiptarë.
Për ndeshjen kundër Serbisë, të cilën helvetikët e luajnë më 15 nëntor në Letzigrund dhe ndaj Spanjës më 18 nëntor në Tenerife, Yakin ka përfshirë në listë kapitenin Granit Xhaka, mesfushorin Ardon Jashari, sulmuesin Andi Zeqiri dhe mbrojtësin Albian Hajdari. Jashari kthehet pas një kohe të gjatë te Zvicra, derisa Hajdari ftohet për herë të parë.
Hajdari ishte në listën e gjerë të Zvicrës për Evropianin “Gjermania 2024”. Por mbeti jashtë ekipit pa u grumbulluar fare.
Ai ka kaluar të gjitha grupmoshat e Zvicrës. Ka luajtur për U15, U16, U17, U19 dhe U21 të helvetikëve. Hajdari u lind në Binningen të Zvicrës, ndërsa rrënjët i ka nga Kamenica.
Mbrojtësi Hajdari është kyç te Luganos këtë sezon. Formë të mirë po kalojnë edhe Jashari dhe Zeqiri. Jashari është pjesë e klubit belg, Club Brugge, kurse Zeqiri pjesë e Standard Lieget.
“Të ardhurit duhet të integrohen në ekip dhe të tregojnë përkushtim që nga fillimi. Pati gëzim nga ana e tyre kur pranuan ftesën”, ka thënë Yakin në konferencën për media të mbajtur të enjten.
I padiskutueshëm është roli i Xhakës te Zvicra. Ai do ta udhëheqë edhe një herë si kapiten përfaqësuesen helvetike kundër Serbisë. Ishte në fushë edhe më 12 tetor në Leskovc. Zvicra humbi 2:0. Xhaka nuk u provokua nga lojtarët në fushë.
Ai ka mposhtur Serbinë në dy Botërorët e kaluar – në “Rusia 2018” e “Katari 2022”. Pjesë
fitoreve të Zvicrës krahas Xhakës ishte edhe Xherdan Shaqiri. Shaqiri pas Kampionatit Evropian që u zhvillua në Gjermani u tërhoq nga Përfaqësuesja e Zvicrës.
Yakin pret tjetër fitore ndaj Serbisë.
“Ne e dimë se duhet të fitojmë kundër Serbisë. Ne do të bëjmë gjithçka që na takon për të fituar ndeshjen”, ka theksuar Yakin.
Për ndeshjen kundër serbëve, te Zvicra presin përkrahje të madhe edhe nga shqiptarët.
“Ne kemi tifozë nga të gjitha komunitetet që jetojnë në Zvicër dhe jemi të lumtur për secilin tifoz, pavarësisht origjinës së tyre”, pati thënë Adrian Arnold, zëdhënës i Federatës së Futbollit të Zvicrës për KOHËN.
Në fakt, kur Zvicra ka luajtur në të kaluarën kundër shteteve të tjera, përkrahja ka qenë masive nga shqiptarët. Kjo për faktin se te Zvicra kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë shqiptarët lojtarë kyç.
Dashuria ndaj lojtarëve shqiptarë që përfaqësojnë Zvicrën u rrit edhe më shumë pas ndeshjeve që Zvicra i pati fituar kundër Serbisë.