Zëvendësministri i Bujqësisë, Flakron Bexheti, zhvilloi një takim me homologët e tij në Kosovë – Ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural të Republikës së Kosovës, Faton Peci, dhe Zëvendësministrin, Imri Demelezi.
Ky takim, i mbajtur në një atmosferë miqësore, pasqyroi lidhjet e forta dhe bashkëpunimin e ngushtë mes dy vendeve.
Kjo nismë shënoi një hap të rëndësishëm për të promovuar bashkëpunimin në sektorin e bujqësisë, me synimin për të sjellë përfitime të drejtpërdrejta për fermerët dhe rajonet bujqësore në të dy vendet.
Palët shkëmbyen eksperienca dhe prezantuan projekte që kanë sjellë rezultate të dukshme, duke treguar angazhimin e tyre për përmirësimin e kushteve në sektorin bujqësor.
Përfaqësuesit vizituan gjithashtu disa organizata që operojnë në sektorin agro-ushqimor, të cilat luajnë një rol kyç në përmirësimin e cilësisë së produkteve dhe në mbështetjen e fermerëve.
“Ky takim është vetëm fillimi i një rruge të re bashkëpunimi në bujqësi, duke sjellë përfitime konkrete për të dy vendet dhe duke u bërë model për zhvillimin e bujqësisë në rajon,” njoftoi Zëvendësministri i Bujqësisë, Flakron Bexheti.