Zyrtare, Hansi Flik largohet nga Bajern Munihu, në vendin e tij pritet trajneri italian?!

Hansi Flik ka konfirmuar largimin e tij nga Bajern Munihu. Flik duke folur pas triumfit ndaj Volfsburgut në Bundesligë, ka konfirmuar largimin e tij nga “bavarezët”.

Lajmin e kanë konfirmuar të gjitha mediat gjermane, gjithashtu edhe gazetari i “BILD”, Derek Rae. Flik drejtoi Bajernin në tripletën e tyre të dytë në 10 vitet e fundit.

“Kam folur me klubin këtë jave dhe jam i vendosur që kontrata ime të mbarojë në verë. Klubi e di vendimin tim, gjithashtu edhe lojtarët”, përfundoi Hansi Flik.

Lidhjet e Maksimilian Alegrit me Bajern Munihun po rriten në mënyrë të konsiderueshme, pasi Hansi Flik njoftoi se kërkoi të zgjidhte kontratën në fund të sezonit me bavarezët. Flik fitoi gjithçka me gjigantët e Bundesligës, përfshirë Ligën e Kampionëve dhe Kupën Botërore të Klubeve, vitin e kaluar. Mirëpo prej kohësh ishte raportuar se Flik ishte i etur të largohej, në mënyrë që të mund të merrte drejtimin e ekipit kombëtar gjerman.