Agim Vinca
Tashmë mund të thuhet lirisht se demonizimi i Albin Kurtit është bërë sport nacional ndër shqiptarë. Ngado që të sillesh, kudo që të shkosh, nuk dëgjon gjë tjetër veçse sharje e mallkime për kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje! dhe kryeministrin e Republikës së Kosovës, tani në detyrë, Albin Kurtin.
Lëshon radion, ndez televizorin, hap kompjuterin, merr në dorë celularin, kudo i njëjti avaz!
Akuza nga më të rëndat shqiptohen për çdo natë në ekran, në Prishtinë, por edhe në Tiranë, ku jo rrallë ftohen në studio njerëz që për Albin Kurtin dhe qeverinë e Kosovës flasin me gjuhën e rrugës.
Albin Kurti është i vetmi kryeministër në botë që shahet edhe gjatë transmetimit të ndeshjeve futbollistike!
Disa media në Kosovë mezi presin që dikush, qoftë edhe ndonjë anonimus, të postojë ndonjë fjalë kundër Albinit në fejsbuk për t’i bërë vend sa çel e mëshel sytë në mediumin e tyre.
Askush nuk ia konteston askujt të drejtën që për Albin Kurtin dhe qeverinë që e kryeson ai, sikurse edhe për subjektin politik që e drejton (Lëvizjen Vetëvendosje!) të ketë mendim kritik dhe ta shprehë atë lirisht kudo e në çdo kohë. Por nuk duhet shumë mend për të konstatuar se këtu, fatkeqësisht, nuk bëhet fjalë për kritikë, por për fushatë, madje jo thjesht fushatë, por linç.
Dhe kjo fushatë linçuese zhvillohet horizontalisht dhe vertikalisht, nga Prishtina në Tiranë, via Shkup, Tetovë, Strugë e Elbasan dhe nga maja e kupolës e deri në bazë. Nga lart rri e vështron Vëllai i Madh, karizmatik, që modelin Kurti e sheh si rrezik.
Është e pamundur të numërohen të gjitha akuzat që i bëhen Albin Kurtit, por po përmendim vetëm disa nga ato që dëgjohen më shpesh: “mashtrues”, “njeri i Serbisë”, “agjent i Rusisë”, “antiamerikan”; “stalinist”, “maoist”, “fundamentalist”, “populist”; “komunist”; “kundërshtar i UÇK-së”; “përçarës i shqiptarëve të Maqedonisë dhe të luginës së Preshevës”; “prishës i marrëdhënieve ndërmjet Tiranës dhe Prishtinës”, e sa e sa gjepura të tjera, që s’i rrok mendja e shëndoshë.
Disa e quajnë edhe ardhacak (“njeri nga Mali i Zi”), edhe pse Albini ka lindur dhe është rritur në Prishtinë, ku edhe jeton. (Babai i tij, një burrë i nderuar, ka ardhur në Kosovë, si shumë të tjerë, nga një fshat shqiptar në Mal të Zi dhe kjo është e gjitha).
Nuk ka mbetur gjë pa u thënë për të, nuk ka mbetur sharje e fyerje që nuk i është bërë. Edhe kur ia ul rrogën vetes Albin Kurti e shkel ligjin!
Fushatë kundër Albin Kurtit zhvillohet edhe në Serbi, e edhe nga militantët e Vuçiqit në “Kosovë e Metohi”, por kjo s’është temë e këtij shkrimi.
Veç një gjë nuk e kuptoj dhe nuk di si ta shpjegoj: si ka mundësi që i njëjti njeri të jetë shqiptari më i urryer në Serbi dhe njëkohësisht edhe njeriu më i urryer në Shqiptari?!
Në Beograd quhet “njeri që i urren serbët”, “terrorist” dhe “shiptar”, kurse në Prishtinë, Shkup e Tiranë, natyrisht në qarqe të caktuara, “njeri që lufton për pushtet”, ”karrierist” dhe “antikombëtar”!
Kur i dëgjon aleatët, e quajnë “të pavendosur” e “frikacak”, kur ndodh të mos i dëgjojë për ndonjë çështje si puna e targave dhe e dinarit, e shpallin “antiamerikan” dhe “antiperëndimor”.
Hip se të vrava, zbrit se të vrava!
Gazetarë, analistë, reporterë, moderatorë, drejtues OJQ-sh, politikanë, ish-politikanë, kryetarë komunash, kryetarë partish, deputetë, ish-deputetë, biznesmenë, oligarkë, ish-anëtarë të VV-së, një lukuni e tërë, s’lënë gjë pa thënë për njeriun që në krye të këtij vendi ka ardhur me verdiktin e popullit, në zgjedhje të lira e të rregullta, të njohura edhe nga rivalët e tij politikë, të cilët duket se pikërisht kjo gjë i tërbon.
Flasin për keqqeverisje, për borde e punësime, për shpenzime e privilegje; s’lënë gjë pa thënë ata që kur ishin vetë në pushtet s’lanë gjë pa bërë!
Nuk mungojnë as akuzat për korrupsion! Kërkojnë burgosjen e Albinit për “hajni”, ata që s’ia dinë skajin pasurisë… Kur kapobanda thërret: “Kapeni hajnin!” edhe qorri e di sa është sahati: në ç’gjendje është katandisur morali, etika dhe politika.
E ritheksojmë: askush nuk është kundër kritikës, si asaj që vjen nga opozita, ashtu edhe nga shoqëria civile dhe media, por kjo për të cilën po flasim s’është kritikë, por propagandë që ka për qëllim diskreditimin e kundërshtarit politik, i cili trajtohet si armik!
Është shumë e rëndë akuza që i bëhet në vazhdimësi Kryeministrit të Kosovës se ai qenka kundër UÇK-së, se paska qenë dikur dhe vazhduaka të jetë edhe sot, sado që faktet flasin ndryshe.
Në vitet nëntëdhjetë Albini ishte sekretar i përfaqësuesit politik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Prishtinë, Adem Demaçit, dorë e djathtë e “Bacës”, i cili nuk do të mund të funksiononte, sidomos në raport me botën, pa shërbimet e djaloshit flokëgjatë, që e zotëronte në mënyrë perfekte anglishten dhe teknologjinë, e kjo do të thotë se ai u bë edhe vetë pjesë e luftës, për çka edhe u dënua me 12 vjet burg si “terrorist”.
Ne e dimë mirë kush ka deponuar në Hagë kundër UÇK-së, përveç Serbisë, vite me radhë. Edhe ata që e drejtojnë gishtin kah VV-ja, shumica syresh, e dinë, por e bëjnë me qëllim.
Shpif shpif se diçka do të mbesë!
Askush si Albini nuk i nderon dëshmorët; familjen Jashari dhe familjet e tjera të dëshmorëve; përpjekjet e pareshtura të atdhetarëve të të gjithë brezave, nga viti 1912 e deri më sot; ish-të burgosurit politikë, që e kaluan rininë burgjeve dhe të gjithë ata veprimtarë, intelektualë e të tjerë që kontribuan në çfarëdo mënyre për lirinë e Kosovës dhe për kauzën kombëtare.
Por, kot. Argumentet nuk vlejnë kur urrejtja e errëson arsyen.
Albin Kurti është fajtor kujdestar për gjithçka që ndodh në Kosovë. Ai, askush tjetër. I ka fituar zgjedhjet, por nuk i ka numrat për ta zgjedhur kryeparlamentarin dhe konstituuar Kuvendin. Pas shumë seancash, votimesh, çvotimesh, akuzash e kundërakuzash, më në fund zgjidhet kryetari i Kuvendit, por jo edhe të pesë nënkryetarët. Puna ka ngecur te përfaqësuesi i komunitetit serb që duhet të vihet në këtë pozitë.
Përse PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja nuk e votuan deputetin Nenad Rashiq për nënkryetar të Kuvendit, njeriun që e njeh shtetin e Kosovës dhe institucionet e tij, por kërkojnë që ai të jetë patjetër nga radhët e Listës Serbe, e cila e hap fushatën për zgjedhjet lokale me himnin e Serbisë dhe me sloganin “për çlirim nga Albin Kurti”?!
Duan ta vazhdojnë bllokadën, me pretendimin se po mbrojnë Kushtetutën, duke fajësuar përsëri shkaktarin e të gjitha të këqijave që i paskëshin rënë mbi kokë Kosovës dhe mohuesin e të gjitha të arriturave të saj, Albin Kurtin.
Janë po ata që e shkarkuan në mars të 2020-s, në kulmin e pandemisë, me 61 vota (vota e fundit, e 61-ta, e siguruar me angazhimin personal të Presidentit dhe të ish-Kryeministrit, në orët e vona të natës) dhe është po ajo mendësi: “Do t’ia nxijmë jetën!”.
E kanë krahasuar me Hugo Çavezin, me Fidel Kastron, me Musolinin, me Hitlerin, me Kim Jong Unin, me Putinin, me dreqin e të birin… E kanë quajtur dhe vazhdojnë ta quajnë “mashtrues”, që premtoi bashkimin kombëtar e s’po e bën dot (prite, o Zot!); që premtoi se hajnat do t’i fuste në burg, por ata vazhdojnë të jenë të lirë (thuase kjo është punë e qeverisë e jo e prokurorisë); që doli i gjallë nga burgjet e Serbisë e çkamos tjetër.
Marrëzia arrin deri aty sa të thonë se edhe fakultetin e paskësh kryer me intervenime!
Nuk është pa të meta Qeveria Kurti; disa nga ministrat lënë për të dëshiruar; mjaft nga premtimet nuk janë përmbushur, jo vetëm për mungesë të vullnetit politik, por edhe për shkak të rrethanave në të cilat i ra në hise ta drejtonte Republikën e Kosovës liderit të Vetëvendosjes. Në fillim pandemia, që u menaxhua mirë, pastaj lufta në Ukrainë dhe pozicionimi i drejtë kundruall saj; obstruksionet e vazhdueshme të Serbisë dhe qëndrimi tolerant i BE-së ndaj Beogradit zyrtar, madje edhe pas sulmeve terroriste si ai në Banjskë dhe në Ibër-Lepenc, gjithnjë me pretekstin e largimit të Serbisë nga prehri i Rusisë.
Për të gjitha këto probleme duhet të flitet në mënyrë racionale, e jo me turr, zjarrmi e mësymje.
Kurrgjë mos pastë bërë kjo qeveri, e ka ndryshuar dukshëm gjendjen në Veri, duke e shtrirë autoritetin e shtetit edhe në këtë pjesë të territorit të Kosovës, betejë që ende nuk ka përfunduar dhe që kërkon angazhimin e të gjithëve.
Vërtet i ndaloi referendumet që mbante Serbia më parë në Kosovë dhe nuk e formoi Asociacionin, të cilin ia lanë në derë pararendësit, por nuk u ka cenuar asnjë të drejtë pjesëtarëve të komunitetit serb, të cilëve u drejtohet pa kompleks edhe në gjuhën e tyre.
Vendimi i Departamentit të Shtetit për “pezullimin e dialogut strategjik”, i bërë publik nga e ngarkuara me punë e ambasadës së SHBA-ve në Prishtinë, i dha impuls të ri luftës politike në Kosovë dhe fushatës kundër “shkaktarit të bllokadës”. Natyrisht se ky vendim nuk është një lajm i mirë për Kosovën dhe duhet të na brengosë të gjithëve, por askush nuk duhet t’i gëzohet rikthimit të skenarit të emisarit të dekoruar në Beograd nga mandati i parë i Presidentit Tramp.
Ende pa u përhapur mirë lajmi, shpërtheu cunami: “Ja ku na solli!”.
I kuptoj politikanët që luftojnë për pushtet, por nuk e kuptoj ish-politikanin Ben Blushi, i cili, tani në rolin e shkrimtarit, lëshon fetvanë kundër Albin Kurtit, sepse nuk mund të quhet ndryshe artikulli i tij, ku ai e quan Vetëvendosjen “sekt”, kurse elektoratin kosovar “insekt”!
Ajatollahët e Iranit e falën dikur shkrimtarin “heretik” Salman Ruzhdi, por ai mbeti pa një sy!
Ne këtij tonit duam t’ia nxjerrim që të dy! /Enkas për MekuliPress/