Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kujtuar sot 80-vjetorin e lindjes së patriotit, artistit dhe aktivistit të shquar, Jusuf Gërvalla. Në një postim në rrjete sociale, Kurti ka vlerësuar figurën e tij si njërën ndër më të rëndësishmet në historinë politike të Kosovës përcjell INA.
“Sot është ditëlindja e Jusuf Gërvallës, patriotit, artistit dhe aktivistit politik ndër më të rëndësishmit në historinë politike të Kosovës. Jusuf Gërvalla ka lindur më 1 tetor 1945 në fshatin Dubovik të Deçanit. Ai sot do të bëhej 80-vjeçar, sikur jeta e tij aq intensive të mos ndërpritej dhunshëm nga një atentat politik i organizuar nga shteti i Serbisë ndaj tij, vëllait të tij Bardhoshit dhe bashkëveprimtarit të tyre Kadri Zekës, më 17 janar 1982, në Gjermani”, shkruan Kurti.
Ai kujtoi jetën e shkurtër të Gërvallës, që u ndërpre në moshën 36-vjeçare, duke e përshkruar si figurë unike që bashkonte në vetvete gazetarinë, poezinë, shkrimtarinë, këngën dhe aktivizmin politik.
“Këngët dhe poezitë e tij u kanë mbijetuar kohëve, bashkë me shembullin e përkushtimit në angazhim kombëtar dhe thellësisë në mendim politik”, shtoi Kurti, duke cituar edhe vargje nga kënga e njohur “Do të kthehem, nënë”, me të cilat Jusufi i këndonte vendlindjes së tij.
Në fund, kryeministri Kurti theksoi se kujtimi për Jusuf Gërvallën mbetet i gjallë dhe frymëzues për brezat e rinj, ndërsa vizitorët vazhdojnë ta nderojnë figurën e tij çdo vit në shtëpinë muze në Dubovik.
“Lavdi Jusuf Gërvallës për gjithë veprën dhe jetën e tij!”, përfundon postimi i Kurtit.