Albin Kurti
Para 25 vitesh, më 11 shtator të vitit 2000, arkitekti dhe urbanisti Rexhep Luci u vra në hyrje të pallatit të banesës së tij në Prishtinë, duke u qëlluar me gjashtë plumba në shpinë. Që nga ditët e para pas çlirimit, ai ishte drejtor i urbanizmit në komunën e Prishtinës, detyrë kjo që e vendoste atë në një pozicion shumë të ekspozuar karshi ndërtimeve pa leje dhe mbindërtimeve. Emri i Rexhep Lucit qëndronte prapa planit vizionar Prishtina 2000 – 2020, një plan që synonte ta ruante kryeqytetin e Kosovës nga ndërtimet e larta pa plan, ruajtjen e hapësirave të gjelbërta dhe zhvillimin e planifikuar e të rregullt urbanistik të Prishtinës.
Ato ditë të mbrama para se të vritej, Rexhep Luci e kishte drejtuar një punëtori tre ditore për një plan urbanistik, që sipas kërkesave të UNMIK-ut ishte shkurtuar nga plan 20 vjeçar në plan 5 vjeçar: Prishtina 2000 – 2005. Askush nuk u akuzua dhe as s’u gjykua për vrasjen e tij. Një nga rrugët në qendër të Prishtinës është quajtur rruga “Rexhep Luci”, thua se parashikohej që në dy dekadat pasuese, Prishtina do të shndërrohej në një katrahurë urbane ndërtimesh pa plan. Duke e kujtuar Rexhep Lucin në 25-vjetorin e vrasjes së tij, nuk e kujtojmë thjesht arkitektin urbanist që u vra për shkak të detyrës zyrtare të tij, por edhe çmimin e lartë që është paguar për ta mbrojtur Prishtinën nga ndërtimet e egra, pa leje, pa plan, pa standarde dhe shpesh të drejtuara nga mafia e ndërtimeve. Pasojat e këtij problemi dhe trashëgiminë e mbrapshtë të kësaj kulture kriminale, vazhdojmë t’i përballim ende edhe sot.
Përderisa në qendër të Prishtinës e kemi rrugën “Rexhep Luci” si homazh për arkitektin e vrarë, në anën tjetër të qytetit, i kemi lagjet “Dardania” dhe “Bregu i Diellit” dikur të mbikqyrura nga urbanisti Rexhep Luci, si homazhe të gjalla të ndërtimeve dhe zhvillimit me plan urbanistik. Për Prishtinën e rregullt dhe të planifikuar, për kryeqytetin që zhvillohet dhe funksionon.