Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, sot ka pritur në takim anëtarët e Shoqatës së Shqiptarëve Mbrojtës të Kroacisë në Luftën Atdhetare, të udhëhequr nga gjenerali i nderuar Esad Çollaku – Kryetar i Unionit të Shqiptarëve të Kroacisë dhe Tomë Kaqinari – përfaqësues i Bashkësisë së Shoqatave të Vullnetarëve të Luftës në Kroaci.
Në këtë takim u kujtuan bashkëluftëtarët shqiptarë në Kroaci, mes tyre edhe heronjtë e kombit Fehmi e Xhevë Lladrovci dhe Bekim Berisha – Abeja, emra që mbeten përgjithmonë të gdhendur në historinë dhe kujtesën kombëtare.
Në një atmosferë vëllazërore, u ndanë kujtime e përvoja mbi rolin dhe sakrificat e shqiptarëve në mbrojtjen e Kroacisë, të cilat, sipas Ahmetit, janë dëshmi e pathyeshmërisë dhe qëndresës për liri.
Ahmeti po ashtu shprehu mirënjohje të thellë për mbështetjen e Kroacisë në luftën çlirimtare të Kosovës, duke theksuar se gjaku i derdhur për liri është urë që na bashkon përgjithmonë si popuj që luftuan krah për krah për dinjitetin dhe të drejtën kombëtare.