Në një seancë të mbyllur në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut, euroambasadori Michalis Rokas prezantoi raportin më të fundit për progresin e vendit në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Përveç kryetarit të parlamentit, Afrim Gashi, ishin të pranishëm koordinatori i grupeve parlamentare dhe përfaqësues të partive parlamentare, përfshirë Oliver Spasovski dhe Jovan Mitrevski nga LSDM, Marija Petrushevska nga VMRO-DPMNE, Boban Karapejovski nga ZNAM dhe Bekim Qoku nga VLEN.
Në raport theksohet se Maqedonia mbetet plotësisht në përputhje me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së, duke konfirmuar kështu orientimin e saj strategjik. Megjithatë, Komisioni Evropian nënvizon se janë të nevojshme hapa më të shpejtë dhe më vendimtarë për hapjen e klasterit të parë të negociatave, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit, reformës së administratës publike dhe mbrojtjes së pakicave.
Raporti gjithashtu thekson se vendi duhet të forcojë përpjekjet në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, me theks të veçantë tek pavarësia e gjyqësorit dhe ndjekja efikase e rasteve në nivele të larta. Si vërejtje kryesore përmendet se ende nuk janë ndërmarrë hapa vendimtarë për miratimin e ndryshimeve kushtetuese, duke përfshirë edhe përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë, sipas angazhimeve të mëparshme.
Komisioni Evropian kujton se anëtarësimi në BE përfaqëson një investim gjeostrategjik për një Evropë të qëndrueshme dhe të unifikuar dhe se procesi i zgjerimit do të mbetet i rreptë, i drejtë dhe i bazuar në meritë. Sipas raportit, kandidatët për anëtarësim duhet të kryejnë reforma të thella dhe të pakthyeshme dhe të ndërtojnë një konsensus shoqëror rreth vlerave evropiane.(INA)