Shkup – Zëvendëskryeministri për Qeverisje të Mirë dhe funksionari i VLEN-it, Arben Fetai, ka reaguar ashpër ndaj BDI-së, duke thënë se kudo që shkojnë, qytetarët përsërisin të njëjtin mesazh: “Kurrë më BDI”.
Sipas tij, përpjekja e kësaj partie për t’u ribrenduar si “AKI” nuk ka sjellë asgjë tjetër përveç shtimit të irritimit tek shqiptarët. “Për 22 vjet qeverisja e tyre ka qenë një shfaqje mashtrimi dhe abuzimi: gënje këtu, vidh atje, kërcëno me vende pune, burgos një, shkel një tjetër, poshtëro të tretin”, ka shkruar Fetai.
Ai i akuzoi drejtuesit e BDI-së se, të kapur nga paniku, po përpiqen të krijojnë kaos dhe rrëmujë politike. “Siç thoshte Arbën Xhaferi: Anarkia është pasoja më e hidhur e lirisë, e demokracisë së keqpërdorur. Pikërisht kështu po veprojnë ata sot”, theksoi ai.
Duke komentuar raportet brenda opozitës, Fetai tha se Bujari lavdëron Taravarin, ndërsa ky i fundit nuk ia përmend emrin, kurse Sela “është zhdukur nga fjalori i tyre”.
“E vërteta është se vetëm ata janë përmbysur dhe tani po luftojnë për mbijetesën e tyre politike. Për fat të keq, kemi opozitën më të rraskapitur dhe më të diskredituar në Ballkan”, përfundoi Fetai.