Aleanca për Shqiptarët ka mbajtur sonte mbledhjen e radhës të Kryesisë, ku është diskutuar procesi i përgjithshëm zgjedhor i zgjedhjeve lokale të mbajtura në vend.
Pas mbledhjes, partia ka bërë të ditur se procesi zgjedhor ende nuk ka përfunduar dhe se mbetet e angazhuar për një mobilizim të plotë në zgjedhjet që do të zhvillohen në Gostivar dhe Vrapçisht, brenda afatit ligjor prej 60 ditësh nga shpallja e rezultateve përfundimtare.
Në komunikatën e saj, Aleanca për Shqiptarët ka theksuar se gjatë mbledhjes është analizuar edhe Raporti i Progresit i Komisionit Evropian, ku, sipas vlerësimit të partisë, vendi ka shënuar “regres pothuajse në të gjitha fushat”.
“Ky regres është rezultat i politikave të gabuara të qeverisë aktuale, të cilat e kanë bllokuar vendin në rrugën e integrimit evropian,” – thuhet në reagimin e partisë.
Aleanca për Shqiptarët, bashkë me partnerët e koalicionit Aleanca Kombëtare për Integrim, ka theksuar se mbetet e vendosur të vazhdojë angazhimin për ndryshim të vërtetë politik dhe për rikthimin e besimit të qytetarëve në institucionet demokratike të vendit.(INA)