Avokati i ish-presidentit Hashim Thaçi, Pierre Richard Prosper deklaroi se sot “do të kemi një shans që të tregojmë të vërtetën se çfarë me të vërtetë ka ndodhur në Kosovë në vitin 1999”.
Këto deklarata ai i bëri para fillimit të dëgjimit të dëshmitarit të parë të mbrojtjes, James Rubin, i cili gjatë luftës në Kosovë ishte ndihmës-sekretar amerikan i Shtetit. Ai do të paraqes dëshminë e tij në mbrojtje të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.
“Presidenti falënderon të gjithë për mbështetjen në këtë proces. Jemi entuziast për sot, sepse do të na japë një mundësi që të kthehemi në realitet, do të kemi një shans që të ri-ekzaminojmë të vërtetën se çfarë me të vërtetë ka ndodhur në Kosovë në vitin 1999. Do të jetë fillimi i një procesi ku ju mund të shihni prova të reja që do të tregohen që presidenti nuk është përgjegjës për akuzat që i janë bërë dhe shpresoj që mund të jeni prezent dhe të raportoni drejtë për çfarë do të ndodhë sot këtu”, u shpreh ai.
Mbrojtja e Thaçit nuk ka dhënë detaje për dëshminë, veçse shtoi se “nëse Dhomat e Specializuara dëgjojnë të vërtetë, atëherë do të kemi mundësi për një vendim të drejtë”.
“Nuk dua të jap detaje për dëshminë, por prapë, kjo është mundësia jonë që të dëgjojmë të vërtetën se çfarë ndodhi dhe të kuptojmë rolet dhe përgjegjësitë janë…Shpresoj [për arritjen e një vendimi]. Nëse Dhomat dëgjojnë të vërtetën, atëherë do të kemi një mundësi për një vendim të drejtë dhe një që tregon se klienti jonë është i pafajshëm”, shtoi ai para mediave.
Sot do të dëgjohet dëshmitari i parë të mbrojtjes në Dhomat e Specializuara të Kosovës.
James Rubin, i cili gjatë luftës në Kosovë ishte ndihmës-sekretar amerikan i Shtetit, do të paraqes dëshminë e tij në mbrojtje të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.
Ky është dëshmitari i parë i mbrojtjes së Thaçit, e cila ka paraparë që në gjykatore t’i sjell rreth 11 dëshmitarë. Më pas, procesi gjyqësor do të vazhdojë me dëshmitarët e thirrur nga mbrojtja e ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi.