Kandidati i AKI-së, për komunën e Butelit, Isamedin Azizi, njëherit edhe kandidati i vetëm shqiptar që garon në këtë komunë, thotë se në këto zgjedhje, ka mundësi reale që në krye të komunës të ketë një kryetar shqiptar. Ai kërkon mobilizim sa më të madh për siç thotë ai t’i dhënë fund politikave diskriminuese të kreut të deritanishëm në të gjitha fushat, në sektorin e urbanizmit, arsimit dhe kulturës. Azizi tha se investimet bëhen vetëm në zonat etnikisht të pastra.
“Është një mundësi e artë, është një mundësi historike për banorët e komunës së Butelit, për shkak se është, siç thash edhe më herët, është hera e parë që dalim edhe me një kandidat dhe numrat na e tregojnë se mundësitë janë reale… Për të ardh deri te kjo, të gjithë qytetarët e komunës së Butelit, sidomos komuniteti shqiptarë, të mobilizohet në formë masovike të del në zgjedhje dhe të zgjidhet kandidati shqiptarë, atë që e përmenda edhe më herët mundësitë janë, numrat janë, kapacitetet i kemi, e vetmja gjë që na mbetet është që të dielën të dalim në mënyrë masovike dhe ta bëjmë ndryshimin në komunën e Butelin, ndryshimin e shumëpritur në këtë komunë”, tha Isamedin Azizi, kandidat për komunën e Butelit./ Alsat.mk