Bardhi ka ndarë një lajm të rëndësishëm për karrierën e tij muzikore, duke paralajmëruar publikimin e EP-së së parë. Projekti do të përmbajë pesë këngë dhe do të publikohet i gjithi në të njëjtën ditë gjatë muajit tetor.
“Me padurim po pres me e nda me ju EP tem të parë. EP ka me pas 5 kangë, edhe dalin në të njëjtën ditë në muajin tetor! Edhe po, balada patjetër,” shkroi Bardhi në rrjete sociale, duke theksuar se mes tyre nuk do të mungojë edhe një baladë.
Pas suksesit të koncertit recital në Kumanovë, ku mblodhi mbi 3300 fansa dhe u vlerësua për një organizim pa asnjë incident, Bardhi tashmë ka paralajmëruar se do të vijë edhe me “Andërr 2”, duke e shndërruar vitin në një etapë të veçantë të karrierës së tij.
Ky kombinim mes projektit të ri muzikor dhe vazhdimit të recitalit të suksesshëm ka rritur ndjeshëm pritshmëritë e publikut, duke e bërë Bardhin një nga emrat më të komentuar të skenës shqiptare këtë verë.