Në garën për kryetar të Komunës së Çairit, kandidatët Bujar Osmani dhe Izet Mexhiti kanë zbuluar sot shtyllat kryesore të programeve të tyre zgjedhore, duke sjellë premtime konkrete për zhvillimin ekonomik, fuqizimin e të rinjve dhe rilindjen urbane e kulturore të komunës përcjel agjencija e lajmeve INA
Bujar Osmani: Çairi i të rinjve dhe grave sipërmarrëse
Kandidati për kryetar të Komunës së Çairit, Bujar Osmani, nga rruga e njohur si “Rruga e Plastikave”, prezantoi masat ekonomike që synojnë mbështetjen e të rinjve dhe grave si motorë të zhvillimit lokal.
Ai theksoi se në komunën më të dendur në Evropë, me mbi 80 mijë banorë dhe 14% të popullsisë nën 30 vjeç, është jetike të krijohen mundësi të reja punësimi dhe nisma për të rinjtë.
Në kuadër të programit të tij, Osmani paralajmëroi:
Krijimin e Qendrës për Inovacione dhe Biznese, për mbështetje teknike dhe këshilluese për të rinjtë me ide start-up;
Subvencione dhe grante për bizneset e reja dhe kompanitë që punësojnë të rinj;
Akademinë e parë për gratë në zejtarinë, për t’u mundësuar atyre hapjen e bizneseve vetjake me mbështetje financiare nga komuna;
Këshillin Ekonomiko-Social, që do të bashkojë komunën, bizneset dhe të rinjtë për strategjitë e zhvillimit lokal.
Osmani nënvizoi se perspektiva ekonomike e Çairit lidhet ngushtë me procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.
“Integrimi në BE është e vetmja rrugë që hap horizonte për të rinjtë dhe për zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm,” deklaroi ai.
Izet Mexhiti: Çarshia e Vjetër, zemra e Çairit drejt rilindjes evropiane
Nga ana tjetër, kandidati i koalicionit VLEN, Izet Mexhiti, prezantoi shtyllën e tretë të programit të tij zgjedhor – rilindjen e Çarshisë së Vjetër të Shkupit dhe zhvillimin e turizmit si motor ekonomik të komunës.
Ai e cilësoi Çarshinë “shpirtin e qytetit dhe zemrën e Çairit”, duke premtuar ta shndërrojë në një qendër moderne të turizmit, kulturës dhe ekonomisë lokale.
Mexhiti prezantoi një plan konkret me pesë hapa kryesorë:
Restaurim të plotë të kalldrëmeve dhe fasadave, me ndriçim modern për siguri dhe estetikë;
Transformim digjital me tabela interaktive, muze virtual dhe aplikacion “Çarshia Digjitale” për turistët;
Tualete publike moderne dhe infrastrukturë të përmirësuar për vizitorët;
Restaurim të objekteve historike, si Kurshumli An, Kapan An, Suli Hani, Hamamet dhe Bezisteni;
Ndërtim të parkingut nëntokësor me dy kate nën sheshin “Skënderbeu”, investim prej 25 milionë eurosh, tashmë i siguruar nga Qeveria.
“Çarshia e Vjetër është krenaria jonë, por ajo nuk duhet të jetojë vetëm nga e kaluara. Ky është një projekt identitar dhe ekonomik që do ta kthejë Çairin në destinacion turistik rajonal,” u shpreh Mexhiti.
Dy vizione për një qëllim të përbashkët
Osmani dhe Mexhiti, megjithëse me qasje të ndryshme – i pari me fokusin në të rinjtë dhe gratë sipërmarrëse, e i dyti në rilindjen e Çarshisë së Vjetër dhe zhvillimin e turizmit – ndajnë të njëjtin qëllim: të japin frymëmarrje të re ekonomike dhe kulturore komunës më simbolike të shqiptarëve në Shkup.(INA)