Kandidati i VLEN-it për kryetar të Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, ka prezantuar projektin për ndërtimin e një shkolle të re moderne në këtë komunë. Sipas tij, objekti do të ketë kapacitet për rreth 1300 nxënës, duke funksionuar me vetëm një ndërrim dhe duke plotësuar nevojat e komunitetit për kushte më të mira arsimore.
“Sot para jush po e prezantoj ndërtimin e shkollës së re moderne në ‘Teneqe mëhallë’ apo mëhalla e boshnjakëve. Për shkak se ka formën V të ndërtimit, është ideja që të quhet Viktoria. Ky investim do t’u hapë dyert e dijes rreth 1300 nxënësve në një objekt prej 4700 metrash katrorë, me 54 klasa, 8 kabinete dhe 2 laboratorë të pajisur sipas standardeve më të larta”, deklaroi Mexhiti.
Ai po ashtu bëri të ditur se në plan është edhe ndërtimi i objektit të ri të shkollës “Idnina”, duke e cilësuar arsimin si një nga prioritetet kryesore të tij për mandatin e ardhshëm.
Në anën tjetër, kandidati i AKI-së për kryetar të Komunës së Çairit, Bujar Osmani, ka theksuar se një nga prioritetet e tij do të jetë përmirësimi i pastërtisë dhe higjienës publike në komunë. Ai paralajmëroi shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme për papastërti, duke përfshirë në aksione pastrimi kompanitë private, shkollat, bashkësitë fetare dhe qytetarët.
“Ky do të jetë një ndër prioritetet e mia kryesore. Projekti për pastërti në Çair do të jetë në dy faza – një ndërhyrëse dhe një strategjike, afatgjatë. Ditën e parë do të shpallim gjendje të jashtëzakonshme për papastërti në Çair dhe do të formojmë shtabin e krizës. Ky shtab do të jetë i përbërë nga të gjithë ata që duan të jenë pjesë e një aksioni masiv për pastrimin e komunës, përfshirë kompanitë private, shkollat dhe bashkësitë lokale”, deklaroi Osmani.
Ai gjithashtu njoftoi se brenda 60 ditëve nga marrja e mandatit, planifikon të themelojë ndërmarrjen komunale për higjienë publike, ku do të punësohen 120 punonjës të rinj që do të kujdesen për mirëmbajtjen e pastërtisë në çdo lagje të Çairit.