Kandidati për kryetar të Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, mori pjesë sot në Forumin e Kryetarëve të Ballkanit Perëndimor, i cili u zhvillua në qytetin e Durrësit. Në kuadër të këtij forumi, kryetarët e komunave nga rajoni nënshkruan një deklaratë të përbashkët që formalizon krijimin e një rrjeti bashkëpunimi për projekte të përbashkëta.
“Ky hap i rëndësishëm do të na mundësojë që në të ardhmen të hartojmë projekte të përbashkëta dhe të aplikojmë për fondet e Bashkimit Evropian dhe për fondet IPA, me qëllim që komunat tona të mbështesin dhe të ndihmojnë njëra-tjetrën në zhvillim”, theksoi Kasami.
Ai shtoi se në forum pati mundësinë të ndajë përvojat dhe të arriturat e Komunës së Tetovës në fushën e mbrojtjes së mjedisit dhe energjisë së rinovueshme, të cilat mbeten prioritete kyçe për zhvillimin e qëndrueshëm.
Kasami garantoi se Tetova do të jetë gjithmonë pjesë aktive e nismave që synojnë bashkëpunimin dhe zhvillimin për qytetarët e saj. (INA)