Bullizmi nuk është “çështje fëmijësh”. Është çështje shoqërore, është pasqyrë e moralit tonë kolektiv
Nga Vedat MEMEDALIU
Një 13-vjeçare ia mori vetes jetën. Vetëm kaq mjafton për të ngrirë çdo zemër, për të shkundur çdo prind, çdo mësues dhe çdo politikan. Askush nga ne, përveç vogëlushes tashmë të ndjerë, nuk e di çfarë dhimbjeje ka përjetuar. Askush nuk mund ta imagjinojë çfarë ndjejnë tani prindërit e saj. Thuhet se bullizmi dhe talljet kanë qenë shkaku që e kanë shtyrë drejt këtij akti tragjik. Por, në këtë pikë, shkaku është më pak i rëndësishëm – ajo çfarë rëndon është fakti që një shpirt i ri iku, dhe ne të gjithë kemi dështuar ta mbrojmë.
Kjo nuk është tragjedia e parë. Vjet humbëm një gjimnazist – gjithashtu i bullizuar. Para një muaji, katër vajza e rrihnin shoqen e tyre dhe e filmonin ulërimën e saj për ndihmë. Dhe çfarë bëjnë institucionet? Heshtin. Disa mësues madje i justifikojnë, disa prindër “mbrojnë fëmijën” e tyre të dhunshëm, ndërsa shkollat vazhdojnë normalisht – sikur asgjë të mos ketë ndodhur.
Drejtor me 4 mandate e asnjë orë për bullizmin
E vërteta është e hidhur: shkollat dhe shtëpitë tona janë shndërruar në motele dhe hotele ku bëhet vetëm gjumi. Në shumë familje mungon biseda, mungon këshilla, mungon dialogu. Mësuesit dhe drejtorët janë shndërruar në ushtarë partiakë dhe shpenzojnë më shumë energji duke postuar foto me kryetarin e komunës dhe të partisë, sesa duke menduar si të edukojnë fëmijët.
Në Shkup ka shkolla ku drejtori është në mandatin e katërt, plot 16 vjet në detyrë, dhe nuk ka organizuar asnjë orë vetëdijësimi për bullizmin. Ka mësues që në rrjetet e tyre sociale nuk postojnë asnjëherë për mësimin apo për nxënësit, por çdo ditë për kryetarin e partisë dhe të komunës. Dhe këta janë “të paprekshmit”, ata që i shkelin mësuesit e ndershëm dhe i kthejnë shkollat në zgjatime të shtabeve partiake.
Të gjithë ministrat e Arsimit që nga 2001, dhjetë të tillë, kanë eksperimentuar me Strategji dhe reforma gjysmake. Rezultati? Arsimi fillor ka arritur kulmin e dështimit. Nxënësit nuk edukohen, nuk motivohen, nuk mësohen të respektojnë njëri-tjetrin. Dhe tani po korrim atë që kemi mbjellë: dhunë, tallje, përbuzje, vrasje e vetëvrasje.
Arsimi fillor ka dështuar, në veçanti në Shkup. Kemi arritur në një pikë ku fëmijët ndihen të pambrojtur dhe ku dhuna, tallja dhe përjashtimi shndërrohen në përditshmëri.
Dhe pastaj çuditemi kur një vajzë 13-vjeçare ia merr vetes jetën.
Është vonë, por jo tepër vonë. Jemi në prag zgjedhjesh lokale. Kandidatët për kryetarë komunash duhet të japin zotim publik: asnjë drejtor të mos ketë më shumë se dy mandate, dhe ato mandate të maten me sukseset e shkollës, jo me fotografitë e varura në korridore.
Mësuesit të punësohen mbi bazë merite, jo mbi bazë partie. Prindërit të flasin me fëmijët e tyre. T’u tregojnë se çdo veprim i tyre, çdo bullizim, çdo dhunë, ka pasoja – dhe se ato pasoja i bartin vetë prindërit. Një shuplakë ndaj një fëmije, është shuplakë që e ndjen edhe babai, edhe nëna e dhunuesit.
Një apel për shoqërinë
Nëse nuk e kthejmë urgjentisht vëmendjen nga politika drejt fëmijëve tanë, nëse nuk ndërhyjmë sot, tragjeditë si kjo nuk do të jenë të fundit. Bullizmi nuk është “çështje fëmijësh”. Është çështje shoqërore, është pasqyrë e moralit tonë kolektiv.
Ne kemi për detyrë të rikthejmë shkollën si vend edukimi, dhe familjen si vend dashurie e komunikimi. Vetëm atëherë nuk do të na shkundin më lajme të tilla. Sepse asnjë prind nuk duhet të përcjellë fëmijën e vet në varr – dhe asnjë shoqëri që e lejon këtë, nuk ka të drejtë të flasë për të ardhme. (koha.mk)