Kreu i Kuvendit Afrim Gashi do të kërkojë mendim për dy çështje para se të shpallë zgjedhjet e reja lokale për katër komunat ku nuk u arrit censusi i daljes në rrethin e parë të 19 tetorit. Gashi ka dyshime për atë se cilat në të vërtetë llogariten si rezultate përfundimtare, ato të rrethit të parë apo të rrethit të dytë, pasi çështja e censusit vlen vetëm për rrethin e parë.
“Kemi dy paqartësi. Duhet të drejtohemi deri te KSHZ të marrim mendim se çfarë do të thonë rezultate përfundimtare, a janë raportet pas zgjedhjeve të rrethit të parë ku thanë se nuk ka census për këto katër komuna, apo nga rrethi i dytë. Nga ana tjetër kemi situatë të re. Mandati i përbërjes aktuale të anëtarëve të KSHZ-së përfundon më 15 janar. I thirra të vijnë në Kuvend dhe të diskutojmë se si ta zgjidhim këtë që të mos kemi probleme në realizimin e zgjedhjeve. Nuk ka kuptim të shpallë konkurs për anëtarë të rinj të komisionit në mes të zgjedhjeve”, deklaroi Afrim Gashi – Kryetar i Kuvendit.
Gashi është i mendimit se nevojiten ndryshime në Kodin Zgjedhor veçanërisht në pjesën e censusit. Sipas tij, nuk ka kuptim që në komuna ku garojnë vetëm dy kandidatë, të vlejë edhe censusi edhe përqindja e votave. Thotë se në raste të tilla, kryetar që në rrethin e parë duhet të zgjidhet ai që fiton më tepër vota edhe pse nuk ka fituar së paku 50% të votave. Shembull të tillë pati në Bogovinë, ku në rrethin e parë Feti Abazi mori 48,83% të votave kundrejt Besnik Emshiut me 48,02% të votave. Kandidatë të tjerë nuk pati.
“Me koordinatorët e grupeve parlamentare biseduam për ndryshimet e kodit zgjedhor. Duhet të ulemi dhe të arrijmë marrëveshje sepse të gjithë kemi probleme. Pati mirëkuptim të diskutojmë dhe t’i sjellim ndryshimet. Problemi kryesor ishte financimi i partive politike sepse financimi i dy partive në pushtet dhe dy në opozitë nuk është praktike. BDI nuk është kundër. Nëse Qeveria propozon kod të ri zgjedhor atëherë deputetët do të punojnë në atë ligj, pra deputetët do të punojnë në të dy opsionet”, tha Afrim Gashi – Kryetar i Kuvendit.
Megjithatë, ndryshimet e kodit zgjedhor miratohet me shumicë të dyfishtë, respektivisht me shumicë prej 80 votash dhe me shumicë të votave të deputetëve jo maqedonas. Shumica parlamentare në bashkëpunim me LSDM-në tentuan të kalojnë ndryshimet e kodit zgjedhor në një seancë të jashtëzakonshme gjatë muajit gusht por e njëjta dështoi pasi Fronti Evropian atëkohë nuk i votoi. /Alsat.mk