Nga Kim Mehmeti
Problemi i Shqipërisë nuk është tallja që Kryeministri ia bëri me ministren ‘Diella’, por pse atje që moti ka perënduar dielli i revoltës qytetare.
Shqipëria sot nuk është as demokratike, as autokrate, as diktaturë, por pronë private e Piktorit, i cili gjithnjë e më lirshëm e shprehë ndjenjën e pronarit të një shtëpie të budallenjve.
Ai ndjehet edhe si burrështetas fatkeq, të cilit i ka rënë në hise të drejtojë një vend me një opozitë të humbur brenda vetvetes, një shtet me elita që nuk reagojnë as kur i tallë as kur i përbuzë.
Dhe së i tillë ai mundohet t’i zgjojë elitat e këtij populli duke i provokuar dhe duke i përbuzur, kështu që është i detyruar që në të ardhmen, për ministër të kulturës ta emërojë macen me të cilën lozë djali i tij i vogël.
Po, Shqipëria ecë vrullshëm drejt anëtarësimit të saj në BE me në krye Piktorin, i cili atë e sundon sipas mendësisë enveriste: në fillim t’i shfarosësh ata që të kanë sjellë në pushtet dhe që t’i dinë gjitha të zezat, e pastaj edhe gjithë ata që me gjithë mend duan të përzihen në punët e veta ministrore.
Për t’i zgjuar nga gjumi elitat e mëmëdheut, ai i lajmëroi ato se pasi e ndërtoi Shqipërinë e hajdutëve, do ta themelojë edhe shtetin e bektashinjve, por pa treguar nëse do mbetet hapësirë e lirë edhe për shtetin e të ndershmëve dhe të guximshmëve, me çka Shqipëria do bëhej federatë e më shumë shteteve të barabarta.
Por ku ta dish, mbase heshtja e elitave të mëmëdheut, e që PIktorit ia mundësojnë të ndjehet si pronar i shtëpisë së budallenjve ku askush nuk guxon ta kundërshtojë atë, ka të bëjë me tolerancën shqiptare, e jo me atë se ato elita janë të pavlera dhe pa karakter. (Kim Mehmeti).