Pas shkeljes së hapësirës ajrore të Estonisë nga Rusia, zëdhënësja e NATO-s, Allison Hart, tha se Këshilli i Atlantikut të Veriut do të mblidhet në fillim të javës së ardhshme për të diskutuar më në detaje incidentin, gjë që përbën aktivizimin e nenit 4.
Estonia më herët kishte kërkuar zyrtarisht konsultime sipas nenit 4 të Traktatit të Uashingtonit.
Procedura përcakton se “palët do të konsultohen së bashku sa herë që, sipas mendimit të ndonjë prej tyre, cenohet integriteti territorial, pavarësia politike ose siguria e ndonjë pale”.
Hera e fundit që ky nen u aktivizua ishte nga Polonia në fillim të këtij muaji, pas hyrjes së dronëve rusë në hapësirën e saj ajrore, ndërsa më parë ishte përdorur nga një grup shtetesh në vitin 2022 pas pushtimit rus të Ukrainës, raportojnë mediat.
Kjo, siç u tha, është një sinjal i qartë se Estonia e sheh incidentin si një kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë e saj, si dhe një tregues të shqetësimit rajonal në rritje për qëndrimin gjithnjë e më agresiv dhe provokimet e Rusisë.
Major Taavi Karotamm, zëdhënës i forcave të mbrojtjes së Estonisë, i tha agjencisë AP se aeroplanët rusë fluturuan paralel me kufirin lindje-perëndim të Estonisë dhe nuk u drejtuan drejt kryeqytetit, Talin.
Karotamm tha se arsyeja e shkeljes së kufirit mbetet e panjohur, por shtoi se mund të jetë bërë për të “zhvendosur fokusin e NATO-s dhe të vendeve anëtare drejt mbrojtjes së vetvetes, në vend që të përforcojnë mbrojtjen e Ukrainës”.
Moska ende nuk ka komentuar mbi incidentin, por agjencia reuters ka marrë një deklaratë nga ambasadori rus në Kombet e Bashkuara, Vasiliy Nebenzya, i cili tha se nuk është në dijeni për incidentin, por shtoi se “nuk i besoj asaj që thotë Estonia për Rusinë”.
Kur u informua për akuzën e Estonisë se Rusia ka hyrë me avionë në hapësirën e saj ajrore, Nebenzya tha “sa tragjike”.