Kryeqyteti i Kosovës, Prishtina, duhet të shkojë edhe në një tjetër raund zgjedhor (balotazh) për ta përcaktuar fituesin e tyre.
Sipas EXIT POLL-it të përgatitur nga kompania UBO Consulting kandidatët për kryetar të Prishtinës nuk kanë arritur të marrin votat e mjaftueshme për ta përmbyllur votimin në raundin e parë.
Në bazë të EXIT POLL-it të UBO-s, kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Përparim Rama ka marrë 34,3% duke u renditur para Hajrulla Çekut të VV-së i cili ka marrë 32,1% e Uran Ismaili i cili është renditur i treti në garë me 28,9%.
I katërti në këtë garë ka dalë kandidati i AAK-së, Bekë Berisha me 2,8%, kurse kandidatja e PSD-së, Besa Shahini ka marrë 1,7%.
UBO Consulting ka zhvilluar edhe matje tjera duke vlerësuar se rreth 75,71% të votuesve kanë vendosur kë të votojnë para fushatës.
Marzha e gabimit të këtij EXIT POLLI-i është 2%.
Sipas të dhënave të fundit të publikuara nga KQZ-ja, në Prishtinë kanë votuar rreth 39,44% të votuesve.