Në Barcelonë është shfaqur një konflikt i hapur mes dy lojtarëve të rëndësishëm të skuadrës, Gavi dhe Fermin Lopez, të cilët raportohet se nuk kanë më marrëdhënie miqësore pas disa incidenteve gjatë kësaj vere.
Sipas mediave spanjolle, gjithçka nisi gjatë turneut në Azi, në një stërvitje në Korenë e Jugut, ku Gavi ndërhyri fort ndaj Lopez duke e goditur dhe duke e lënë për disa minuta të shtrirë në tokë. Fillimisht u mendua se bëhej fjalë për një dëmtim serioz.
Pak ditë më vonë, tensionet u përsëritën në Barcelonë, ku lojtarët u përplasën sërish dhe shkëmbyen fjalë të ashpra, duke detyruar shokët e skuadrës të ndërhynin për t’i qetësuar.
Këto episode kanë shqetësuar trajnerin Hansi Flick, i cili është detyruar të flasë veçmas me të dy lojtarët, duke marrë prej tyre garanci se gjithçka është në rregull. Megjithatë, raportimet nga Spanja theksojnë se situata nuk është plotësisht e qetë dhe trajneri gjerman po vazhdon të monitorojë marrëdhënien mes tyre.