Shqiptarët në Luginë vazhdojnë të jenë cak i kërcënimeve të ndryshme, si verbale, ashtu edhe përmes vizatimeve në vende të ndryshme.
Të shtunën që lëmë pas në qendrën e Bujanocit, me të kuqe në qendër të qytetit, u shfaqën grafite të shkruara në alfabetin cirilik, ku katër herë shkronja “C” është përdorur për të lexuar si shkronja “S”.
Ky stil i shkrimit është i njohur për shkak të natyrës së tij provokuese dhe përmbajtjes nacionaliste që përcjell.
Së bashku me një kryq, në vazhdim është shkruar emri dhe mbiemri i kriminelit të luftës, të dënuar për gjenocid në Srebrenicë, Bosnjë e Hercegovinë, Ratko Mladiq.
Megjithatë, këto grafite u fshinë më pas nga ish-kryetar i Këshillit Kombëtar, Ragmi Mustafi.
Përkundër që u fshinë, ata u shfaqën sërish të martën.
Për këtë ka njoftuar sërish Mustafi, i cili përmes një shkrimi në Facebook, ka thënë se këto nuk janë raste të izoluar, por model i përsëritur i provokimit.
“Grafitet po përsëriten – atmosfera e urrejtjes po normalizohet! Edhe sot, ashtu si në fillim të vikendit, në qendër të Bujanocit janë shfaqur sërish grafite me emrin e kriminelit të luftës “РАТКО МЛАДИ” dhe simbolet nacionaliste të katër “С”-ve. Nuk ka më dyshim që këto nuk janë raste të izoluara, por një model i përsëritur i provokimit, nxitjes së urrejtjes dhe glorifikimit të gjenocidit në hapësirat publike ku shqiptarët përbëjnë shumicën.
Ky nuk është më vandalizëm i zakonshëm. Ky është mesazh politik dhe ideologjik.Ky është përçim i frikës, i simbolikës së dominimit dhe i narrativave që mohon bashkëjetesën”, ka shkruar Mustafi.
Rreth kësaj në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka folur edhe analisti Refik Hasani, i cili e quan vazhdimësi të provokimeve dhe kërcënimeve.
Sipas tij, ato grafitë nuk janë vetëm shkrime në mur, por mesazhe urrejtjeje.
“Më 6 shtator të këtij muaji, në qendrën e Bujanocit, janë vendosur grafite me emrin e kriminelit të luftës të dënuar për gjenocid në Srebrenicë të Bosnjës e Hercegovinës, Ratko MLADIQ, dhe mesazhi që përcjell vendosja e këtyre grafiteve, është: Nnj akt i shëmtuar dhe gjuhë urrejtjeje, është vazhdimësi e provokimeve dhe kërcënimeve, ku përmes tyre synohet të mbillet frikë, pasiguri dhe të dërgohet mesazhi i shpërnguljes, asimilimit dhe diskriminimit të shqiptarëve. Grafitet me emrin e Ratko Mladiqit, nuk janë vetëm shkrime në mur: ato janë mesazhe urrejtjeje, kërcënimi dhe pasigurie, përhapin, ushqejnë e instalojnë një gjuhe që cenon paqen, bashkëjetesën dhe të drejtat e shqiptarëve në këtë Rajon, të populluar me shumicë shqiptare”, deklaron Hasani.
“Mbi vendosjen e grafiteve në qendrën e Bujanocit, me emrin e kriminelit të luftës të dënuar për gjenocid në Srebrenicë të Bosnjës e Hercegovinës, Ratko Mladiq, me sa jam në dijeni, jo vetëm Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim të Evropës (OSBE-ja), por as instancat më të larta të BE-së, dhe asnjë mekanizëm i OKB-ës, jo nuk ka reaguar, jo nuk i kanë dënuar këto akte, që gjithnjë-Jo që kanë marrë hov mbishkrime me pankarta e grafite, dhe janë krijuar si dukuri në rritje, por janë shndërruar në përditshmëri”, thotë analisti.
Ai komenton reagimet e mos reagimet rreth këtyre grafiteve, gjersa dënon fuqishëm këto akte.
“Mbi vendosjen e grafiteve në qendrën e Bujanocit, me sa jam në dijeni, Qeveria e Republikës së Shqipërisë, së bashku me Parlamentin dhe Presidentin e Shqipërisë z. Bajram Begaj, jo, nuk kanë reaguar. Po ashtu, Qeveria e Republikës së Kosovës, së bashku me Parlamentin dhe Presidenten e Kosovës znj. Vjosa Osmani-Sadriu, jo, nuk kanë reaguar.
Edhe përmes këtij prononcimi, dënojmë fuqishëm këto akte, edhe njëherë ngre zërin – duke dënuar këto akte, ku me mbishkrime shprehet gjuha e urrejtjes, provokimit, frikësimit dhe kërcënimit ndaj shqiptarëve në Bujanoc, Preshevë e Medvegjë.
Kjo është edhe një dëshmi shtesë se, përveç pasivizimit, përmes pastrimit etnik – diskriminimit, kemi edhe diskriminim në gjithë segmentet e jetës, dhe kjo krahinë shqiptare është rajoni më i pazhvilluar në gjithë Evropën, çka tregon se statusi i saj politik nuk është zgjidhur ende.
Kjo krahinë i përket Evropës, dhe rajoni i Preshevës, Medvegjës e Bujanocit nuk është vetëm çështje e brendshme e Serbisë. Do të duhej ndërruar diskursi i Tiranës dhe Prishtinës në raport me këtë krahinë shqiptare, në internacionalizimin e mëtejshëm në nivelin dhe shkallën më të lartë”, përfundon analisti.