Gala e “AARC 2025” në Nju Jork – një natë krenarie dhe uniteti (VIDEO)

Picture of Ina Online
Ina Online

27/09/2025

Beqir Sina/INA nga Nju Jorku

Mbrëmja e 24 shtatorit 2025 do të mbetet gjatë në kujtesën e komunitetit shqiptaro-amerikan si një moment kulmor i unitetit, krenarisë dhe angazhimit për të ardhmen. Në sallën prestigjioze Gotham Hall në Nju Jork, Këshilli i Marrëdhënieve Shqiptaro-Amerikane (AARC) organizoi mbrëmjen “Gala Vjetore 2025” – një event që nuk ishte vetëm një festë, por një thirrje e fuqishme për të ngritur zërin, për të forcuar komunitetin dhe për të nderuar trashëgiminë shqiptare.

E mbushur me kokteje, performanca kulturore dhe fjalime frymëzuese, kjo mbrëmje ndërtoi një urë të pathyeshme midis Tiranës, Prishtinës dhe Uashingtonit, duke reflektuar fuqishëm rolin që diaspora shqiptare vijon të luajë në skenën ndërkombëtare.

Mbrëmja e AARC 2025 i kushtoi vëmendje të veçantë arritjeve të jashtëzakonshme të komunitetit shqiptaro-amerikan në fusha si diplomacia, biznesi dhe kultura. Mes të pranishmëve ishin figura të larta nga Shqipëria, Kosova dhe SHBA: Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj, Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani-Sadriu, Kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut Eric Adams, Kryetari i Republikanëve në Nju Jork Ed Cox, diplomati Christopher Hyland dhe kongresisti republikan nga Teksasi, Keith Self – një zë i fuqishëm në mbështetje të pavarësisë së Kosovës.

Mbrëmja, ndriçuar nga dritat elegante të Gotham Hall, solli jo vetëm krenari për arritjet e deritanishme, por edhe reflektim të thellë mbi sfidat aktuale. Siç theksoi Avokati Martin Vulaj, President i AARC, në fjalimin e tij kryesor: “Ne e kemi parë koston e vetëkënaqësisë.”

Ai rikujtoi momentin kur, 23 vite më parë, në cilësinë e Drejtorit Ekzekutiv të NAAC, nderonte Presidentin Bill Clinton për udhëheqjen në ndalimin e gjenocidit në Kosovë, një kohë kur zërat e diasporës shqiptare kishin peshë të drejtpërdrejtë në qendrat e vendimmarrjes amerikane.

Vulaj theksoi rolin historik të organizatave si Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra dhe Albanian American Civic League në ngritjen e çështjes kombëtare, duke përmendur me respekt pionierët e lobimit shqiptar në SHBA: Jim Xhema, Harry Bajraktari, Rexh Xhakli, Ekrem Bardha, Dino Erbeli dhe Dino Asanaj. Ai u shpreh se me gjithë sukseset e së kaluarës, vetëkënaqësia dhe mbyllja e institucioneve si NAAC krijuan një vakum të rrezikshëm që sot po shfrytëzohet nga agjenda të huaja.

“Kosova, edhe pse renditet nga Gallup si vendi më i sigurt në Evropë, vazhdon të portretizohet si e pasigurt nga propaganda serbe. UÇK-ja – krenaria jonë kombëtare – sot përballet me gjyqe të padrejta që përpiqen të barazojnë viktimat me kriminelët,” – theksoi ai.

Sidoqoftë, mesazhi i fjalimit ishte shpresëplotë dhe mobilizues:
“Kjo nuk është një mbrëmje për atë që kemi humbur, por për atë që mund të rindërtojmë së bashku.”

Ai falënderoi kontribuesit e palodhur të komunitetit, përfshirë Harry Bajraktari, Rich Lukaj, Nik Mehmeti, Bruno Ceka, Ismet Smaili dhe Sal Rusi, dhe shpjegoi se AARC është themeluar për të rikthyer një zë të përhershëm, profesional dhe strategjik në Uashington.

Një shembull i fuqisë së lobimit u dha përmes historisë së tre shqiptarëve nga Teksasi – Gino Mulliqi, Doc Vranici dhe Gezim Rushiti – të cilët arritën të bindin Kongresistin Keith Self për të mbështetur një projektligj që rikonfirmon pavarësinë e Kosovës, kërkon anëtarësimin e saj në NATO dhe denoncon lidhjet e regjimit serb me Moskën, Pekinin dhe Teheranin.

“Në këtë moment të rrezikshëm global, shqiptarët qëndrojnë krah botës së lirë. Fatet tona nuk janë në dyshim – vendi ynë është Perëndimi,” deklaroi Vulaj, duke e përmbyllur me një thirrje për bashkëveprim: angazhim me kohë, talente, burime dhe rrjete. Ai falënderoi bashkëshorten e tij Suzy dhe të gjitha familjet që sakrifikojnë prapa skenës.

Mbrëmja nisi me këndimin e dy himneve kombëtare – amerikane dhe shqiptare – nga artistët Ilsi Ademi dhe Fiorela Miria. Aktiviteti u bekuar nga krerët fetarë: Dom Pjetër Popaj, Imam Tahir Kukaj dhe Imam Edin Gjoni. Në hapje të eventit, Vulaj kërkoi një minutë heshtje në kujtim të aktivistit Charlie Kirk, duke e përshkruar si një zë frymëzues për miliona të rinj në mbrojtje të Lirisë, Besimit, Familjes dhe Atdheut.

Në këtë mbrëmje, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kujtoi heroin Afrim Bunjaku në dyvjetorin e rënies së tij në Banjskë:
“24 shtatori na kujton se liria kërkon sakrificë, por edhe se Kosova është e pathyeshme. Asnjë agresion nga Serbia nuk do të ndalë të vërtetën. Kosova është shtet sovran, i pandashëm dhe i përjetshëm. Lavdi e përjetshme Afrim Bunjakut!”

Eventi u pasurua me fjalime përshëndetëse nga personalitete si Presidenti Bajram Begaj, Presidentja Vjosa Osmani, Kongresisti Keith Self, Mayori Eric Adams, Ed Cox, Christopher Hyland, veprimtarja Eli Rusi, Dom Pjetër Popaj, imamët Tahir Kukaj dhe Edin Gjoni, si dhe kryetari i “Vatrës”, Dr. Elmi Berisha. Mark Gjonaj, ish-anëtar i Këshillit të Qytetit të Nju Jorkut, u përshëndet si një nga figurat më aktive të komunitetit.

Në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tyre të veçantë, Gala AARC 2025 ndau disa çmime nderi:

Çmimi “Nanë Tereza” iu dorëzua Kongresistit Keith Self (nga Martin Vulaj) dhe Mayor Eric Adams (nga Tony Marke).

Çmimi “Kalorësi i Skënderbeut” iu dha Jim Xhema-s, si një simbol i shërbimit të përhershëm ndaj çështjes shqiptare (nga Burim Rexhaj). Në emër të tij, Dr. Elmi Berisha e quajti Jim Xhemën “Konicën e dytë të epokës moderne”, duke premtuar vazhdimësi në përkushtim.

Mbrëmja u ndriçua nga performanca të artistëve shqiptarë: Mira Konci, Ilsi Ademi, Anila Aliu, Fiorela Miria, Igli Tuga, Faton Macula, Riad Ymeri dhe Marsela Çibukaj, të cilët me artin e tyre sollën një atmosferë të ngrohtë dhe emocionuese, duke festuar trashëgiminë kulturore shqiptare.

Eventi u organizua me përkushtimin e Bordit të AARC: Martin Vulaj (President), Eli Rusi (Kryetar), Burim Rexhaj (Sekretar), Tony Marke (Nënkryetar) dhe Sokol Anadolli (Thesar) si dhe nga bizneset shqiptare që besojnë në misionin e përbashkët. Siç tha Vulaj: “Kjo është epoka jonë për të formësuar të ardhmen.”(INA)

TË FUNDIT

Tarifat e Trumpit për drurin dhe mobiliet hyjnë në fuqi, preken edhe tregtarët në Kosovë

Promovimi i librit “Masakrat në Kosovë 1998–1999” të Shkëlzen Gashit në Shkup

Votat e mërgimtarëve përcaktuese, nëse do të ketë balotazh në këto pesë komuna

11 vjet nga droni shqiptar në Beograd

Begaj uron Kosovën pas fitores ndaj Suedisë: Djemtë tanë na bëjnë krenarë

U zbulua biseda e saj me Fatmir Shehollin, Geci reagon ashpër ndaj Duda Baljes: Incizimi nxjerr në dritë…!

ME TE LEXUARA

1
Tarifat e Trumpit për drurin dhe mobiliet hyjnë në fuqi, preken edhe tregtarët në Kosovë
1
Promovimi i librit “Masakrat në Kosovë 1998–1999” të Shkëlzen Gashit në Shkup
1
Votat e mërgimtarëve përcaktuese, nëse do të ketë balotazh në këto pesë komuna
1
11 vjet nga droni shqiptar në Beograd
1
Begaj uron Kosovën pas fitores ndaj Suedisë: Djemtë tanë na bëjnë krenarë

LEXO MË SHUMË

Tarifat e Trumpit për drurin dhe mobiliet hyjnë në fuqi, preken edhe tregtarët në Kosovë

Promovimi i librit “Masakrat në Kosovë 1998–1999” të Shkëlzen Gashit në Shkup

Votat e mërgimtarëve përcaktuese, nëse do të ketë balotazh në këto pesë komuna

11 vjet nga droni shqiptar në Beograd

Begaj uron Kosovën pas fitores ndaj Suedisë: Djemtë tanë na bëjnë krenarë

U zbulua biseda e saj me Fatmir Shehollin, Geci reagon ashpër ndaj Duda Baljes: Incizimi nxjerr në dritë…!